Partia Socialiste po hyn në një fazë të re organizimi pas fitores në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, ku në Qarkun e Elbasanit siguroi 10 mandate deputetësh, 5 nga lista e mbyllur dhe 5 nga lista e hapur.
Në funksion të përfaqësimit territorial dhe kontaktit më të drejtpërdrejtë me qytetarët, PS do të prezantojë zyrtarisht ndarjen e zonave që do të mbulojnë deputetët e sapomandatuar.
Prezantimi do të bëhet gjatë Asamblesë së Zgjeruar të PS për Elbasanin, që do të mbahet ditën e premte, më 10 tetor, në orën 16:00, pranë Qendrës Rinore, ish-kinema “Vullnetari” në qytetin e Elbasanit.
Deputetët do të kenë një përfaqësim të drejtpërdrejtë në zona të ndryshme të qarkut, ku secili do të jetë përgjegjës për ndjekjen e problematikave dhe projekteve konkrete në terren.
Ndërsa lista e mbyllur e PS-së përfshinte emra të njohur si Arbjan Mazniku, Bora Muzhaqi, Ermal Elezi, Adi Qose dhe Evis Kushi, nga lista e hapur janë mandatuar Sara Mila, Saimir Hasalla, Olsi Komici, Aulona Bylykbashi dhe Agron Gaxho.
Ky i fundit është i vetmi që tashmë ka filluar punën si ligjvënës në Bashkinë e Cërrikut, e cila më 9 nëntor 2025 shkon në zgjedhje të parakohshme.
Ndërsa Arbjan Mazniku, Bora Muzhaqi, Ermal Elezi, Adi Qose, Evis Kushi, Sara Mila, Saimir Hasalla, Olsi Komici dhe Aulona Bylykbashi pritet të mësojnë të premten pasdite zonat që do të mbulojnë si deputetë.
Në këtë takim do të marrin pjesë të gjitha strukturat drejtuese të partisë në nivel rajonal, kryetarë të këshillave socialistë, drejtues rajonalë, përfaqësues të organizatave socialiste, të deleguar të Kongresit të PS-së, si dhe anëtarët e këshillave bashkiakë dhe të Asamblesë Socialiste.
Kjo ndarje zonash për dhjetë deputetët e Partisë Socialiste synon të forcojë lidhjen mes përfaqësuesve politikë dhe komunitetit, duke shënuar një hap të ri drejt decentralizimit të angazhimit politik dhe shtimit të aksesit të qytetarëve te përfaqësuesit e tyre në Kuvend.