Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, ka njoftuar zyrtarisht hapjen e procesit të aplikimeve për Kredinë e Butë me Garanci Sovrane, një program që synon të mbështesë financiarisht fermerët dhe agrobizneset që duan të investojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit rural.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, aplikimet do të kryhen pranë bankave të nivelit të dytë deri më datë 20 nëntor 2025. Skema është konceptuar për të ndihmuar si fermerët individualë, ashtu edhe sipërmarrjet agrare, të cilët kanë një plan konkret investimi në bujqësi, blegtori, agropërpunim, mekanizimin e bujqësisë, turizëm rural apo akuakulturë detare.
Përfituesit e kësaj skeme do të mund të aplikojnë për:
1. Kredi të butë me normë interesi vetëm 2%, që lehtëson ndjeshëm barrën financiare për bizneset e vogla dhe të mesme në fshat.
2. Garanci sovrane në masën 70% të kolateralit, duke i mundësuar çdo fermeri apo agrobiznesi të marrë mbështetje edhe në rastet kur nuk ka pasuri të mjaftueshme për garanci.
Ministri Andis Salla theksoi se kjo nismë është pjesë e strategjisë së qeverisë për rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimeve bujqësore dhe forcimin e ekonomisë rurale.
“Qeveria është e vendosur të krijojë kushte më të favorshme për investimet në fshat. Përmes kësaj skeme, ne po u japim mundësi fermerëve që të modernizojnë fermat, të rrisin prodhimin, cilësinë dhe përpunimin e produkteve shqiptare,” u shpreh Salla.
Ai shtoi se interesi për këtë program është i lartë dhe se Ministria e Bujqësisë do të bashkëpunojë ngushtë me sistemin bankar për të siguruar një proces të thjeshtë dhe transparent aplikimi.
Nëpërmjet kësaj nisme, synohet jo vetëm rritja e investimeve në bujqësi, por edhe krijimi i vendeve të reja të punës në zonat rurale, si dhe forcimi i zinxhirit të vlerës bujqësore nga prodhimi deri te tregu.
albaniaexpress.al