Pas ngjarjes së rëndë në Gjykatën e Tiranës, ku humbi jetën gjyqtari Astrit Kalaja, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan u zhvillua sot një mbledhje urgjente e trupës gjyqësore, e thirrur nga kryetari i gjykatës, z. Elis Dine.
NJOFTIMI I PLOTË
Sot më datë 07.10.2025 Kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan z. Elis Dine, thirri mbledhjen e Trupës Gjyqësore të kësaj Gjykate. Të pranishëm në ketë takim ishin Trupa Gjyqësore e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan dhe Kancelari i Gjykatës z. Ledio Sulkuqi.
Në rend dite në mbledhje u diskutua në lidhje me:
• Forcimin e masave të sigurisë së aksesit në gjykatë nga palët në proces gjyqësor, publiku dhe grupet e interesit;
• Evidentimi i problematikave konkrete të hasura në lidhje me kushtet e sigurisë në gjykata;
• Shtimi i nëpunësve të sigurisë në pikat e hyrjes në gjykatë dhe zbatimi rigoroz i protokolleve të rregulloreve për aksesin në gjykatë;
Kërkesa e bashkëpunimit të shtuar me forcat e policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan;
• Mbledhja vijojë takimin me përfaqësues të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.
Vlerësojmë shumë angazhimin, interesin dhe solidarizimin e medias në këtë situatë dhe kërkesën e shtuar për prononcim në media, por në respekt të kujtimi të të ndjerit Gjyqtarit z. Astrit Kalaja është e pamudur për shkak të dhimbjes që përcjell situata që Trupa Gjyqësore t`i përgjet kërkesave për prononcim mediatik në lidhje me situatën.
Duke kërkuar mirëkuptimin tuaj në këtë situatë, ju përcjell mesazhin e Trupës Gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan: “Drejtësia nuk frikësohet, ajo do të vijojë misionin e saj sublim në dhënien e drejtësisë.”
Faleminderit për mirëkuptimin tuaj!