Edhe në Akademinë e Forcave të Armatosura nisi viti i ri akademik ku ishte i pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili uroi studentët që kanë zgjedhur të studiojnë në Akademinë e Forcave të Armatosura, siç u shpreh ai, një nga institucionet më cilësore të arsimit të lartë në vend dhe ndër më të vjetrit dhe me më shumë tradita.
Ministri u shpreh se, interesi për t’u bërë pjesë e Akademisë së Forcave të Armatosura është rritur ndjeshëm vit pas viti.
“Në vitin 2020 kishim 685 aplikime. Në vitin 2024, 1114. Ndërsa këtë vit plot 1634 aplikime. Një rritje prej 138% në vetëm 5 vite”, tha Vengu.
Ministri nënvizoi se, ky është treguesi më i qartë se AFA është shndërruar në një institucion që të rinjtë e Shqipërisë dhe Kosovës e shohin me respekt, besim dhe aspiratë.
“Nga këta 1634 kandidatë janë përzgjedhur fillimisht 400 përmes portalit dhe testimit, ndërsa në fund janë pranuar 80 më të mirët, prej të cilëve 10 nga Kosova”, tha Vengu.
Ministri u shpreh se, “një rritje e besimit në cilësinë e këtij institucioni vihet re gjithashtu edhe në Kursin e Përgatitjes së oficerit, ku nga 61 aplikime në vitin e kaluar kemi kaluar në 127 këtë vit, me një trefishim të numrit të grave aplikante”.
“Ky është një sinjal inkurajues që tregon se karriera ushtarake po perceptohet gjithnjë e më shumë si një mundësi dinjitoze, moderne dhe gjithëpërfshirëse”, theksoi Vengu.
Ministri shtoi se, falë një investimi serioz të qeverisë AFA po ndërton një nga kampuset më moderne të arsimit të lartë në vend.
“Ju do jeni brezi i parë që do ta përjetojë për pak muaj. I konceptuar me standardet më të larta, ky kampus do të ofrojë gjithçka bashkëkohore, godina mësimore, konvikt, qendër shëndetësore, terrene sportive dhe poligone stërvitore në natyrë”, tha Vengu.
Ky institucion i akredituar, nënvizoi ministri, “ka të gjitha mundësitë të konkurrojë me dinjitet në hapësirën e arsimit ushtarak evropian dhe për të qenë në pararojë të transformimit të forcave të armatosura”.