Supersfida e javës në Serinë A, ajo mes Juventusit dhe Milanit, përfundoi pa fitues, me rezultatin 0-0 në “Allianz Stadium”, duke lënë gjithçka të hapur në garën për kreun e kampionatit.
Pjesa e parë u zhvillua me ritëm të ulët dhe pa shumë emocione. Rasti më i rrezikshëm erdhi në fundin e saj, kur Gimenez goditi me kokë, por tentativa e tij kaloi jashtë pa rrezikuar seriozisht portën e Maignan.
Në fraksionin e dytë, loja mori tjetër ritëm. Juventusi rrezikoi i pari në minutën e 47-të me Gatti, por portieri Mike Maignan reagoi në mënyrë fantastike, duke shpëtuar kuqezinjtë me një pritje vendimtare.
Pak minuta më vonë, Milani pati shansin e artë për të kaluar në avantazh. Pas një ndërhyrjeje të Kellit ndaj Gimenez, gjyqtari akordoi penallti. Megjithatë, Christian Pulisic nuk e shfrytëzoi dot mundësinë, duke gabuar nga pika e bardhë të 11 metërshit.
Në vijim, ekipi i Allegri-t nuk hoqi dorë nga sulmet, ndërsa Milani pati dy raste të pastra për gol me Rafael Leaon, por sulmuesi portugez u tregua i pasaktë përballë Di Gregorios.
Në fund, rezultati 0-0 pasqyron më së miri balancën mes dy skuadrave që kërkuan, por nuk arritën dot ta çanin mbrojtjen kundërshtare.
Pas këtij barazimi, Napoli dhe Roma kryesojnë klasifikimin me nga 15 pikë, ndërsa Milani zbret në vendin e tretë me 13 pikë, një më shumë se Interi dhe Juventusi.



