Rama: “Listë e zezë” 5-vjeçare për shkelësit e lejeve të ndërtimit

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se një ndër masat e reja për forcimin e kontrollit mbi territorin është krijimi i një “liste të zezë” për shkelësit e lejeve të ndërtimit, e cila do të përjashtojë nga marrja e lejeve për 5 vite individë dhe kompani që shkelin ligjin.

Në një konferencë për shtyp mbi masat e marra për forcimin e kontrollit mbi territorin dhe ndëshkimin e ndërtimit të paligjshëm, Rama shpjegoi se kjo listë do të përfshijë zhvillues, shoqëri, administratorë, ortakë dhe pronarë përfitues, dhe do të mbahet e përditësuar nga Sekretariati Teknik i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe të Ujit.

Regjistri, tha ai, do të jetë publik dhe i aksesueshëm në faqen elektronike zyrtare.

Kryeministri theksoi se çdo subjekt që kryen punime në kundërshtim me lejen e miratuar do të ndëshkohet me gjoba dhe masa të tjera, duke u futur menjëherë në “listën e zezë”.

“”Lista e zezë” do të përfshijë zhvilluesit, shoqëritë, do të përfshijë individët që kanë shkelur ligjin përfshirë, administratorët, ortakët pronarët, përfitues që do të përjashtohen nga çdo mundësi për të marrë leje ndërtimi për një periudhë 5-vjeçare”, tha Rama.

Në këtë proces do të përfshihen edhe arkitektët, të cilëve do t’u hiqet licenca për 5 vjet dhe nuk do të mund të ushtrojnë profesionin gjatë kësaj periudhe.

“Dhe i gjithë ky proces ndalimi do të thotë që, nëse një subjekt ka kryer punime në kundërshtim, në shkelje të lejes së miratuar nga organi kompetent, Këshilli Kombëtar apo bashkia, dhe ka shtuar ose ka ndryshuar qoftë edhe vetëm fasadën, këto shkelje, të cilat natyrisht pasohen me gjoba dhe ndëshkime të tjera, e bëjnë menjëherë subjektin pjesë të “listës së zezë”. Nuk bëhet fjalë thjesht për një subjekt me një individ të vetëm, por përfshihen të gjithë ata që marrin pjesë në këtë proces, përfshirë edhe arkitektin, të cilit i hiqet licenca për 5 vjet dhe nuk mund ta ushtrojë më profesionin”, deklaroi ai.

Kjo masë është pjesë e strategjisë “Rilindja Urbane 2.0” dhe përgatitjeve të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME