Agjencia e Shërbimeve Publike Elbasan prej ditësh ka nisur punimet për pastrimin e Përroit të Gurres, në një gjatësi rreth 2 km. Ky aksion ka për qëllim të parandalojë përmbytjet, duke mbrojtur qindra hektarë tokë bujqësore dhe dhjetëra banesa, në mënyrë që banorët e zonës të ndihen më të sigurt.
Kujdesi i përvitshëm dhe puna paraprake janë garancia që komuniteti të jetë i mbrojtur përballë shirave që po afrohen. Aksione të tilla të pastrimit dhe mirëmbajtjes së përrenjve zhvillohen sistematikisht çdo vit në territorin e Bashkisë Elbasan, sidomos në pragdimër, për të reduktuar rrezikun nga përmbytjet dhe për të garantuar sigurinë e banorëve.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka theksuar se puna e nisur është pjesë e një strategjie më të gjerë për mbrojtjen e komunitetit dhe menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet. Sipas tij, investimi në pastrimin e përroit është një masë konkrete për të garantuar siguri, por edhe një shembull i angazhimit të bashkisë për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve me veprime të dukshme dhe efikase.