Kapiteni i Elbasanit, Bruno Lulaj, pas barazimit pa gola me Teutën, foli për rëndësinë e vazhdimësisë dhe atmosferën e krijuar nga tifozët verdheblu. Ai theksoi se skuadra synon të marrë maksimumin në çdo ndeshje dhe të ruajë kryesimin në kampionat.
“Sigurisht që ndjejmë sikur kemi lënë dy pikë, sepse luanim në shtëpi pranë tifozëve tanë. Duam gjithmonë maksimumin dhe tri pikët në Elbasan, sepse ata i meritojnë. Ambienti ishte një spektakël më vete dhe i falënderojmë për mbështetjen e jashtëzakonshme. Në futboll ka edhe ditë ‘jo’, ndaj do të punojmë fort për të korrigjuar detajet që nuk funksionuan siç duhet, në mënyrë që në javët e ardhshme të rikthehemi te fitoret,” u shpreh kapiteni.
Sa i përket faktit që Elbasani nuk pëson gol, Lulaj e konsideroi këtë një element pozitiv:
“Nëse nuk fiton, të paktën të mos humbasësh. Po tregojmë forcë në mbrojtje, kemi komunikim më të mirë mes nesh dhe kjo është shumë e rëndësishme. Sigurisht që do të ishte më mirë me tre pikë, por duhet të pranojmë edhe barazimin.”
Në lidhje me ecurinë e skuadrës, Lulaj u shpreh se kampionati është i gjatë dhe ekipi duhet të jetë i kujdesshëm:
“Objektivi ynë është të marrim ndeshjet një e nga një dhe të bëjmë sa më pak gabime. Oshilacionet janë të pashmangshme, por e rëndësishme është të jenë sa më të pakta dhe me ndikim sa më të vogël.”
Për sfidën e radhës me Vllazninë, kapiteni tregoi respekt, por edhe besim te forca e skuadrës së tij:
“Vllaznia ka një ekip shumë cilësor, por mbi të gjitha duhet të shohim veten tonë. Do të shkojmë në Shkodër për të bërë detyrën dhe për të marrë maksimumin.”
Lulaj mori trofeun si lojtari i ndeshjes për herë të dytë në pesë javë, por sytë e tij janë nga trofeu i madh:
“Ëndrrat janë për t’u realizuar. Me ndihmën e Zotit, do të luftojmë deri në fund. Ka edhe 31 javë përpara, ndaj gjithçka do të shkojë hap pas hapi, ndeshje pas ndeshje. Është ende herët për të folur për majin.”
Sa i përket rivalëve kryesorë, kapiteni veçoi dy skuadra:
“Egnatia ka treguar stabilitet vitet e fundit, ndërsa Vllaznia ka lojtarë shumë cilësorë. Mes këtyre të dyjave e shoh rivalitetin më të madh, por fokusi ynë mbetet vetëm te performanca jonë.”