Librazhd, “Festa e Mjaltit” promovon prodhimet bio dhe potencialin turistik të zonës

Nga Fatmir Popja

Në qytetin e Librazhdit u organizua këtë fundjavë, për të nëntin vit radhazi, Panairi tradicional “Festa e Mjaltit”, një aktivitet që ka për qëllim promovimin e prodhimeve bio vendase dhe forcimin e ekonomisë rurale në këtë zonë me potencial të madh bujqësor dhe turistik.

Dhjetëra biznese nga të gjithë fshatrat e Njësive Administrative të Librazhdit ekspozuan produktet e tyre në pedonalen e qytetit, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve, turistëve dhe institucioneve qendrore e vendore.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Bashkisë Librazhd, Mariglen Disha, theksoi rëndësinë që ka ky aktivitet për promovimin e pasurisë natyrore dhe bujqësore të zonës: “Edhe pse në fokus të këtij Panairi kemi mjaltin, një produkt simbol për Librazhdin, kjo festë është gjithashtu një platformë për të promovuar gjithë pasuritë e zonës sonë, bimët medicinale si çaji i malit, sherebela, boronica, trëndafili i egër, si dhe prodhime bujqësore të cilësisë së lartë si arrat, lajthitë, ftoi, mollët, rrushi dhe produktet artizanale e ushqimore. Bashkia Librazhd është e angazhuar të mbështesë me politika të qarta zhvillimi çdo iniciativë të fermerëve dhe prodhuesve vendorë.”

Sipas të dhënave të fundit, në territorin e Bashkisë Librazhd operojnë rreth 200 bletërritës të regjistruar me mbi 6500 koshere, ndërsa mjalti i zonës, sidomos ai i gështenjës dhe i pishës, mbetet një nga më të kërkuarit në tregun vendas dhe të huaj.

Një nga bletërritëset pjesëmarrëse, që eksporton mjaltë të certifikuar në tregun e huaj, tha: “Kjo festë është vitrinë e arritjeve tona. Falë kushteve të favorshme klimatike dhe mbështetjes lokale, po arrijmë të rrisim prodhimin dhe cilësinë. Ka gjithnjë e më shumë interes nga jashtë për mjaltin e zonës së Librazhdit.

Ndërsa një prej kultivuesve të arrave dhe rrushit në këtë zonë u shpreh: “Kërkesa për arrën vendase është rritur shumë. Po punojmë për të kaluar në standarde bio dhe presim më shumë mbështetje për të certifikuar prodhimin për eksport.”

Një fermer dhe grumbullues i çajit të malit tha: “Kjo zonë ka potencial të jashtëzakonshëm për bimët mjekësore. Kemi nisur bashkëpunime me kompani farmaceutike dhe kërkojmë mbështetje për trajnime dhe mekanizim.”

Në aktivitet morën pjesë edhe zyrtarë të lartë të qeverisë. Kryetari i Grupit Parlamentar PS, Taulant Balla, i pranishëm në këtë Panair, tha se “Festa e Mjaltit” është një mundësi e shkëlqyer për të promovuar potencialet e Librazhdit si një qendër e rëndësishme bujqësore dhe turistike, e frekuentuar gjatë gjithë vitit nga vizitorë vendas dhe të huaj.

Ndërsa Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, nënvizoi angazhimin e Qeverisë për të mbështetur fermerët dhe bletërritësit në të gjithë vendin, me theks të veçantë tek investimet në pemëtari, bletari dhe zhvillim rural të qëndrueshëm.

Edhe deputeti i PS-së, Olsi Komici, e vlerësoi traditën e këtij Panairi dhe garantoi mbështetje ligjore dhe politike për të avancuar nisma që fuqizojnë sektorët ruralë.

“Festa e Mjaltit” është tashmë një traditë e konsoliduar në Librazhd dhe po kthehet në një pikë referimi për turizmin agro-ushqimor dhe zhvillimin e ekonomisë së gjelbër. Bashkia e Librazhdit po planifikon zgjerimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe mbështetjen e eksportit të produkteve bio.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME