Ministri i ri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, prezantoi sot vizionin e tij në krye të dikasterit, duke shpallur disa shtylla kryesore të punës: përmbylljen e paketës ligjore të Reformës në Drejtësi, finalizimin e Kodit të ri Penal dhe Civil, si dhe modernizimin e infrastrukturës gjyqësore në vend.
Në ceremoninë e prezantimit, ku ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri Ulsi Manja, Lamallari theksoi se do të punojë me transparencë dhe llogaridhënie, duke garantuar standardet që Shqipëria i ka premtuar Bashkimit Evropian.
“Do të ndjek të njëjtën praktikë me stafin, nga specialisti më i thjeshtë te drejtuesi më i lartë, për të nxitur profesionalizmin dhe përmbushjen e detyrimeve që kemi marrë para BE-së”, u shpreh ai.
Lamallari vuri theksin edhe tek digjitalizimi i sistemit gjyqësor, funksionimi i menaxhimit të integruar të çështjeve në gjykata e prokurori, si dhe masterplani i burgjeve me synim përmirësimin e kushteve të të paraburgosurve dhe hapjen e një institucioni për rehabilitimin e të miturve.
Një tjetër element i ri, sipas tij, do të jetë krahasimi i kuadrit ligjor vendas me atë evropian duke përdorur inteligjencën artificiale.
“Unë besoj fort në bashkëpunimin dhe profesionalizmin tuaj. Dua që suksesi të jetë i përbashkët”, përfundoi ministri Lamallari.