Rruga e 27-vjeçarit Bernard Dika drejt elitës së politikës italiane, nga fëmijë emigranti në simbol i shpresës dhe përfaqësimit

Nga Etleva Rrapa

Nga një fëmijë emigranti në një nga figurat më premtuese të politikës italiane. Historia e 27-vjeçarit Bernard Dika është mishërimi i guximit, integrimit dhe përkushtimit qytetar. Bernard Dika ka lindur më 5 maj 1998 në Shqipëri, në Elbasan, dhe mbërriti në Itali me mamanë e tij kur ishte vetëm pak muajsh.

U rrit mes qyteteve Larciano dhe Pistoia, në një realitet ku fjala “emigrant” për vite me radhë mbeti një barrë e rëndë mbi supet e tij. Vetëm në moshën 16-vjeçare Bernard Dika mori shtetësinë italiane, por identiteti i tij ndërkulturor ishte tashmë i ngulitur fort, një kombinim i rrënjëve shqiptare dhe përkushtimit ndaj një shoqërie që vendosi ta ndërtojë me duart e veta.

E ëma, si shumë emigrantë të tjerë, bëri sakrifica të dyfishta për t’i dhënë fëmijës së saj mundësinë për të ëndërruar. Por Bernard Dika nuk u ndal para vështirësive. Ai i ktheu ato në energji për të transformuar të tashmen në një platformë shprese për të ardhmen.

Nga një autobus në tjetrin, nga një shkollë në tjetrën, nga një libër te tjetri, Bernard Dika nuk u mjaftua me sipërfaqen. Ai kërkonte thelbin, zemrën e problemeve, pikërisht aty ku qëndronte frika për t’u përballur me historinë, me padrejtësitë, me plagët e hapura të shoqërisë.

Në moshën 14-vjeçare u bë përfaqësues i të rinjve në shkollë dhe hyri fuqishëm në politikë duke marrë guximin që shpesh i mungon të rriturve. Në këtë moshë të njomë Bernard Dika u bë koordinatori më i ri i një komisioni zgjedhor në Itali, një rekord historik.

Në vitin 2015, vetëm 17 vjeç, u zgjodh President i Parlamentit Rinor të Toskanës, ku nisi bashkëpunimi me presidentin e Rajonit të Toskanës, Eugenio Giani. Në këtë rol dha kontribute konkrete për ndërtimin e shkollave, përmirësimin e transportit publik dhe mbajtjen gjallë të kujtesës historike të masakrave të Luftës së Dytë Botërore (Foibe).

Për këtë angazhim të jashtëzakonshëm, në moshën 18-vjeçare Bernard Dika u nderua me titullin e lartë “Alfiere della Repubblica Italiana”, një nga vlerësimet më të larta shtetërore, i dorëzuar nga Presidenti Sergio Mattarella.

Më pas, një gjest simbolik dhe i paprecedent. Bernard Dika bëhet i pari i ri që bën një selfie me Presidentin e Republikës, një imazh që bëhet viral dhe përçon një mesazh të qartë: rinia është prezente, e zëshme dhe aktive.

Bernard Dika ka ndjekur shkollën e mesme Forteguerri në Pistoia dhe ka kryer studimet e larta në Universitetin e Firences për Shkenca Juridike, duke u vlerësuar ndër të tjera me çmimin prestigjioz “Corona di Marzocco” në Firenze.

Nga viti 2018 e në vijim ka qenë pjesë e grupit kombëtar të Partisë Demokratike, ndërkohë që ka zgjeruar aktivitetin politik edhe në rajone si Kalabria, ku ka kontribuar për një qasje më njerëzore dhe integruese ndaj emigracionit.

Për shtatë vite me radhë ka shërbyer si zëdhënës i Presidentit të Rajonit të Toskanës, Eugenio Giani, duke fituar një njohje të thellë të territorit, problematikave sociale dhe nevojave të komunitetit. Sot Bernard Dika është kandidat për një post politik në qytetin e Pistoias, një qytet ku 15% e popullsisë është shqiptare dhe ku ai përfaqëson një model të suksesshëm të integrimit, qytetarisë aktive dhe bashkëjetesës kulturore.

Por rruga drejt politikës nuk është e lehtë. Kohët e fundit Bernard Dika është përballur me një valë urrejtjeje në rrjetet sociale, një reflektim i boshllëqeve që ende ekzistojnë në proceset e integrimit. Megjithatë, përballë kësaj, takimet e tij elektorale janë të mbushura plot, një sinjal i qartë se në zemrat e qytetarëve ai gëzon respektin dhe besimin që politika moderne ka nevojë jetike.

Një pikë e ndjeshme mbetet heshtja e institucioneve shqiptare në Itali: konsullatave, ambasadave, shoqatave e fondacioneve, të cilat ndonëse nuk mund të ndërhyjnë në zgjedhje politike, kanë një detyrim moral dhe kombëtar për të mbështetur e promovuar historitë e suksesit të bijve të emigracionit shqiptar, si rasti i Bernard Dikës.

Një politikan i ri, por me një vizion të qartë. Në një nga ndërhyrjet e tij më të ndjera në samitin e PD-së në Itali ai deklaroi vite më parë: “Unë jam fëmijë emigrantësh. Nuk do të isha këtu pa dyer të hapura. Por mungesa e politikave për emigracionin krijon hapësirë për të djathtën. Nuk mund të mohojmë ekzistencën e fenomenit, përndryshe i lëmë hapësirë ekstremit.”

Në lidhje me përçarjet në Partinë Demokratike ai shprehej: “Do të doja një komunitet politik që edhe kur ka debate, të ketë një vijë të përbashkët. Kush nuk e kupton se bashkimi në ide është thelbësor, më mirë të largohet.”

Bernard Dika nuk është vetëm një histori suksesi personale, por një simbol i një brezi të ri që kërkon të jetë pjesë aktive e ndryshimit. Ai është i Shqipërisë, është i Pistoias dhe padyshim është e ardhmja e politikës italiane. E njoh nga afër dhe kam bashkëpunuar me të në disa takime ndërkombëtare.

Nuk kam dyshime ta quaj një strateg të së ardhmes, një figurë që kombinon idealizmin rinor me përgatitje serioze dhe përkushtim të palëkundur ndaj të mirës publike. Për mediat shqiptare dhe institucionet shqiptare në Itali: Bernard Dika është zëri që duhet mbështetur. Ai nuk përfaqëson vetëm një komunitet, ai mishëron potencialin e plotë të tij.

Bernard Dika, vetëm 27 vjeç, tashmë mburret me CV-në e një veterani politik. Kur ai u emërua zëdhënës i ri për Presidentin Rajonal Eugenio Giani, zyrtarët fiorentinë, madje edhe ata me dekada përvojë, i thanë në momentin e nënshkrimit: “Je udhëheqësi më i ri që Toskana ka pasur ndonjëherë.” Nga ana tjetër, arritjet e mëdha të Bernard Dikës duhet të kishin qenë të dukshme dhjetë vjet më parë, kur në zgjedhjet paraprake “historike” të qendrës së majtë, duke vënë përballë Renzin kundër Bersanit, ai u emërua vetëm 14 vjeç koordinator komunal i komitetit që mbështeste kandidaturën e këtij të fundit, padyshim koordinatori më i ri në Itali dhe hap pas hapi karriera e tij në politikë njeh vetëm suksese.

Ndërsa afrohen zgjedhjet lokale të tetorit 2025, Bernard Dika nuk është thjesht një emër i Diasporës Shqiptare në listë, por një simbol i një brezi të ri që guxon të marrë përgjegjësi, të ndërtojë ura dhe të sfidojë paragjykimet me punë të palodhur. Ai përfaqëson një politikë të re të hapur, të ndershme dhe të mbështetur mbi vlera konkrete.

Fitorja e tij nuk do të jetë vetëm një sukses personal, por një sinjal i qartë se shoqëria italiane është gati të përqafojë ndryshimin që vjen nga të rinjtë, nga integrimi dhe nga përkushtimi i vërtetë qytetar. Në tetor 2025 Pistoia ka një mundësi të rrallë, të zgjedhë të ardhmen e sigurt.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Zgjedhjet në Kosovë, Bashkimi Europian: Presim tranzicion të rregullt të pushtetit

Bashkimi Europian e përshëndeti rrjedhjen e qetë të procesit...

Balluku: Rrjeti i ri 20 kV në Velipojë, më shumë siguri energjetike për banorët dhe turistët

Velipoja është shndërruar në një qendër të rëndësishme ekonomike...