Në vitin akademik 2023-2024, gratë përbënin 65,8% të studentëve të diplomuar në Shqipëri, një rritje prej 0,6 pikë përqindje krahasuar me vitin e kaluar, sipas raportit të fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT) “Burra dhe gra në Shqipëri”. Në stafin akademik me kohë të plotë, gratë me titull “Profesor” përbëjnë 51,4%, ndërsa ato me titull “Doktor” arrijnë 61,6%.
Fushat e studimit ku vajzat janë më të pranishme janë: Biznes, administrim dhe ligj, shëndet dhe mirëqenie, dhe shkenca sociale, gazetari dhe informacion. Djemtë, nga ana tjetër, dominojnë në inxhinieri, prodhim dhe ndërtim, teknologji e informacionit dhe komunikim. Të dhënat tregojnë se gratë kanë arritur një nivel të lartë arsimimi dhe përfaqësimi në pozita akademike, por nuk kanë arritur ende barazinë e plotë ekonomike.
Raporti evidenton se burrat vazhdojnë të përfitojnë paga më të larta, me një diferencë mesatare mujore bruto prej 4,9% krahasuar me gratë. Megjithatë, hendeku gjinor në paga është ulur me 1,3 pikë përqindje krahasuar me vitin e kaluar. Pjesëmarrja e grave në tregun e punës mbetet më e ulët se e burrave, respektivisht 69,3% për gratë dhe 82,3% për burrat në moshat 15-64 vjeç.