Këngëtari Elton John ka shqetësuar disa nga fansat e tij pasi publikoi një foto në Instagram ku shfaqej i shtrirë në një spital. Ai sqaroi më pas se fotografia ishte pjesë e xhirimeve për vazhdimin e filmit “Spinal Tap”, por shumë fansa nuk e kuptuan dhe nxituan t’i uronin shërim të shpejtë, ndërsa të tjerë shprehën pakënaqësinë e tyre për këtë veprim.
Të premten, më 12 shtator, John ndau në rrjetet sociale disa pamje nga seti i filmit. Në imazhin e parë, këngëtari shfaqej në një shtrat spitali, me një allçi të zbukuruar me gurë të çmuar në të dyja këmbët dhe me një qafore mbështetëse. Pranë tij ishin tullumbace, kartolina dhe buqeta lulesh, ndërsa në sfond shihej një kameraman, duke treguar se ishte një skenë filmike.