Kryeministri Edi Rama pritet të dërgojë Presidentit Bajram Begaj dekretet për ministrat e rinj, të shpallur më 11 shtator gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste. Java që vjen pritet të jetë tejet e ngarkuar dhe tensionuar për Kuvendin e Shqipërisë.
Të hënën, kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit, Niko Peleshi, do të thërrasë mbledhjen me kryetarët e grupeve parlamentare për përbërjen e kryesive, komisioneve dhe organeve të tjera si Byroja dhe delegacionet.
Të martën pritet seanca plenare për votimin e anëtarësisë së komisioneve dhe shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit, përfshirë skemën e re të komisioneve parlamentare. Parashikohet ngritja e Këshillit për Rregulloren dhe Mandatet paradite, ndërsa pasdite do të votohet rregullorja e re.
Deri atëherë, pritet të depozitohet në Kuvend programi i qeverisë dhe dekretet për kabinetin e ri qeveritar. Të mërkurën, kryetari Peleshi do të mbledhë Konferencën e Kryetarëve për të vendosur kohën e debatit mbi qeverinë dhe programin.
Të enjten dhe të premten Kuvendi pritet të zhvillojë një seancë maratonë debati për ministrat e rinj dhe programin qeverisës, ndërsa të premten pasdite është parashikuar ceremonia e betimit të qeverisë së re pranë Presidentit Begaj.
Seanca e parë plenare e Parlamentit të ri u zhvillua dje në dy faza. Gjatë paradites, kryetari i PD-së, Sali Berisha, bllokoi foltoren duke vendosur pankarta dhe duke ndërhyrë në mikrofon, duke shkaktuar tensione të shumta. Seanca zgjati vetëm 24 minuta dhe u ndoq nga përfaqësues diplomatikë, përfshirë Nancy VanHorn dhe përfaqësues të komuniteteve fetare, ndërsa ranë në sy karriget bosh të SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme.