Nga Fatmir Popja
Në mesin e ndryshimeve të shumëpritura të Qeverisë Rama 4, që u prezantua sot nga Kryeministri Edi Rama, vëmendjen më të madhe dhe ndoshta më të merituar e tërhoqi emërimi i z. Andis Salla si Ministër i ri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Ky emërim është më shumë se një lëvizje politike; është një mesazh i fortë besimi ndaj performancës në terren, ndaj modelit të drejtimit efikas në pushtetin vendor dhe një shembull se si lidershipi i bazuar në rezultate mund të shpërblehet në nivel kombëtar.
Z. Salla, i njohur për qytetarët e Cërrikut si një nga administratorët më të përkushtuar e të suksesshëm, vjen në këtë post pas një performance që e ka renditur vazhdimisht ndër kryebashkiakët më të vlerësuar në Shqipëri. Nën drejtimin e tij, Bashkia Cërrik ka përjetuar një transformim të prekshëm, duke kaluar nga një realitet i vështirë drejt një modeli administrimi efikas, me projekte të prekshme në infrastrukturë, bujqësi, arsim dhe shërbime sociale.
I diplomuar në Drejtësi në Universitetin e Tiranës dhe me një karrierë solide si jurist dhe më pas si drejtues i IEVP në Elbasan, Andis Salla sjell me vete një profil profesional të qartë, etikë pune të patjetërsueshme dhe një vizion praktik për zhvillimin rural dhe bujqësor. Në kohën kur bujqësia shqiptare ka nevojë më shumë se kurrë për qasje të strukturuara, për politika të ndjeshme dhe për një bashkëpunim më të ngushtë me fermerin shqiptar, emërimi i tij është një sinjal shprese për sektorin.
Përtej teknikaliteteve të një rotacioni qeveritar, Rama duket se ka dërguar një mesazh të qartë: Qeveria e re do të ndërtohet mbi themelet e performancës dhe besimit real tek individët që kanë provuar veten në menaxhim. Zgjedhja e z. Salla është dëshmi e kësaj filozofie dhe një hap në drejtimin e duhur për t’i dhënë më shumë hapësirë figurave të reja që kanë kredibilitet, energji dhe njohuri të thelluara për sfidat e vendit.
Nëse në të kaluarën emërimet politike janë parë shpesh si të diktuara nga balancat partiake apo prapaskenat e pushtetit, emri i Andis Sallës është një “surprizë pozitive” që rikthen shpresën se merita dhe puna reale kanë ende vend në qeverisje. Ai është një nga ata emra që e kanë ndërtuar karrierën me përulësi, punë të palodhur dhe dialog të vazhdueshëm me komunitetin.
Nga Shtërmeni i Elbasanit drejt njërit prej dikastereve më të rëndësishëm të vendit, historia e Andis Sallës është një histori që frymëzon dhe që duhet ndjekur nga të gjithë ata që duan ta bëjnë ndryshimin duke filluar nga baza. Emërimi i z. Andis Salla nuk është thjesht një risi; është një garanci se në qendër të politikës mund të qëndrojnë njerëz me integritet, eksperiencë dhe vizion të qartë për zhvillim. Tashmë mbetet të shihet sesi kjo përvojë pozitive në pushtetin lokal do të përkthehet në politika kombëtare të suksesshme për sektorin jetik të bujqësisë.