Elbasani po përgatitet për një nga sfidat më të rëndësishme të këtij fillim sezoni, ku do të përballet me Dinamon. Ndeshja pritet të tërheqë vëmendjen e publikut, pasi verdheblutë rikthehen me ambicie të mëdha në elitën e futbollit shqiptar dhe kanë ende disa “llogari” të hapura me blutë nga edicioni i kaluar.
Situata në kampin e Elbasanit është e qetë, pas një nisjeje të mirë sezoni dhe grupi po konsolidohet gradualisht. Para ndeshjes, mbrojtësi dhe një nga lojtarët më me eksperiencë të skuadrës, Emiliano Musta, foli për mediat duke shprehur kënaqësinë për nisjen e kampionatit dhe ndërgjegjësimin për forcën e kundërshtarit.
“Mund të them se është një start i mirë i kampionatit, edhe pse kishim mundësinë që në ndeshjen me Egnatian të merrnim tri pikët. Llogaritë e pikëve bëhen në fund dhe besoj se ekipi është në rrugën e duhur,” tha Musta.
Objektivat e Elbasanit
Musta thekson se ekipi ka kapacitet për të konkurruar dhe po fiton ekuilibrin e duhur. Ambicia e klubit është rikthimi në Europë, dhe afrimet në merkato, organizimi i mirë i klubit dhe performanca në fushë e bëjnë këtë objektiv të realizueshëm.
“Normalisht që qëllimi i çdo ekipi është të mbajë sa më gjatë vendin që të dërgon në Europë. Shpresojmë të qëndrojmë deri në fund në vendet e larta të tabelës dhe të arrijmë në Europë këtë sezon,” shtoi Musta.
Përballja me Dinamon
Dinamo vjen si një test i vërtetë për Elbasanin, me eksperiencë ndërkombëtare dhe një grup lojtarësh të konsoliduar. Megjithatë, loja zhvillohet në shtëpinë e Elbasanit, një avantazh që Musta shpreson të përdoret maksimalisht.
“Patjetër që është një ndeshje e vështirë. Dinamo luan futboll cilësor dhe ka më shumë eksperiencë nga ndeshjet europiane. Por ne jemi në fushën tonë dhe do të bëjmë maksimumin për tri pikët. Shpresoj që këtë herë të jemi ‘macja e zezë’ e Dinamos,” përfundoi kapiteni Musta.