Gogu: Pesë zyra të reja juridike falas për qytetarët, qendra për të miturit gati në 2027-

TIRANË , 18 nëntor 2026/Albania Express News/-Pesë zyra të reja të ndihmës juridike falas dhe vënia në funksion me kapacitet të plotë e qendrës për edukimin dhe rehabilitimin e të miturve janë dy nga prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2027.

Ministri i Drejtësisë Toni Gogu, gjatë diskutimit të projektbuxhetit sot në Kuvend, bëri të ditur se buxheti për drejtësinë parashikohet në 29,6 miliardë lekë, me një rritje prej 1,2% në raport me vitin 2026.

Duke prezantuar objektivat për vitin e ardhshëm, Gogu u ndal te nevoja për të lehtësuar aksesin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë, veçanërisht për kategoritë që kanë vështirësi financiare për të përballuar shërbimet ligjore.

“Buxheti nuk matet me miliarda, por me atë që ndryshon në jetën e qytetarëve. Sot u fol shumë për koston e jetesës. Ka edhe një kosto të fshehur, që është kostoja e drejtësisë. Është kostoja e atij avokatit që nuk mund ta paguash, janë vitet e pritjes në salla dhe për këtë adreson mbështetje buxheti”, deklaroi ministri.

Ai konfirmoi se duke nisur nga muaji dhjetor 2026 pesë zyrat e reja do të zgjerojnë shërbimin e ndihmës juridike falas, në Kamzë, Krujë, Librazhd, Rrëshen e Bulqizë, ndërsa qendra për edukimin dhe rehabilitimin e të miturve në Mëzez, pritet të ofrojë shërbime me kapacitet të plotë brenda vitit 2027.

“Shërbimi i provës”, theksoi Ministri, me 66% të fondeve më shumë se viti i kaluar, adreson mbështetje për mbikëqyrjen elektronike. Ndërsa 2366 familje që presin kompesimin për pronat informale, brenda vitit 2027 do të marrin pagesën e fundit.

Sa i përket investimeve, Gogu shpjegoi se volumi i tyre do të jetë më i ulët, pasi disa projekte të nisura në vitet e mëparshme po përfundojnë.

Në fjalën e tij, ministri iu referua edhe vlerësimeve të progresraportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, ku theksohet progresi në funksionimin e shtetit të së drejtës, përfundimi i procesit të vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët, si dhe pavarësia dhe rezultatet e SPAK-ut.

Sipas Gogut, arritjet në sistemin e drejtësisë janë rezultat i punës së vetë institucioneve.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME