TIRANË, 31 tetor 2026 /Albania Express News/-Sot po mbahet protesta kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike dhe studentët, në vijim të tubimeve të ditëve të fundit në Tiranë.
Studentët këtë të shtunë u mblodhën në orën 12:00 përpara Ministrisë së Arsimit, ndërsa në mbështetje të tyre dolën edhe deputetë nga Partia Demokratike.
Në mbështetje të studentëve janë edhe pedagogët, të cilët prej disa ditësh kanë bojkotuar procesin mësimor, duke iu bashkuar kërkesave të të rinjve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, të premten ftoi anëtarët, mbështetësit e partisë dhe qytetarët nga mbarë vendi që t’i bashkohen protestës kombëtare të së shtunës, në orën 12:00, në mbështetje të protestës studentore.
Studentët kanë njoftuar gjithashtu se në orën 14:00 do ta vijojnë protestën para Kryeministrisë.
Nuk dihet se sa do të zgjasë protesta. Në tubimet e mëparshme janë regjistruar incidente dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Kreu i PD-së, Sali Berisha nuk ka marrë pjesë në këtë marshim. Në krye të marshimit janë deputetët demokratë, Flamur Noka, Gazment Bardhi, Agron Gjekmarkaj etj, ndërsa ndiqen nga mbështetësit e PD.
Pasi qëndruan rreth 30 minuta përpara Kryeministrisë protestuesit demokratë me në krye deputetët e opozitës u nisën Ministrisë së Arsimit
Sapo protestuesit e udhëhequr nga deputetët e opozitës kanë mbërritur në hyrje të Rrugës së Durrësit, janë pritur me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”.
Ka pasur edhe një përplasje me një protestues, i cili ka kërkuar që të largoheshin deputetët e opozitës.

