Demokratët e Beratit dhe Shkodrës drejt Tiranës, qindra automjete nisen nga këto dy qarqe për protestën e PD-së

BERAT /SHKODËR /TIRANË, 31 tetor 2026 /Albania Express News/- Jo vetëm nga Shkodra, por edhe nga qarku i Beratit, demokratët janë mobilizuar për t’iu bashkuar protestës së thirrur sot nga Partia Demokratike në kryeqytet, në mbështetje të protestës studentore dhe kundër qeverisë Rama.

Një numër i konsiderueshëm mbështetësish të PD-së janë nisur që prej orëve të para të mëngjesit nga qarku i Beratit dhe Shkodrës drejt Tiranës. Lëvizje të shumta janë regjistruar nga degët e Partisë Demokratike në Berat, Kuçovë, Dimal, Skrapar dhe Poliçan.

Sipas të dhënave nga organizimi i demokratëve në këtë qark, rreth 60 automjete janë nisur vetëm nga rrethi i Beratit, ndërsa në të gjithë qarkun numri i automjeteve që janë bërë pjesë e mobilizimit i kalon 125.

Protestuesit janë organizuar në grupe të vogla, duke udhëtuar me automjetet e tyre private dhe në orare të ndryshme. Një pjesë e tyre janë nisur që mbrëmjen e kaluar, ndërsa të tjerë gjatë mëngjesit të sotëm.

Kjo mënyrë organizimi, sipas burimeve nga PD-ja, synon të shmangë pengesat e mundshme gjatë udhëtimit drejt kryeqytetit.

Demokratët e Shkodrës dhe Beratit pritet t’i bashkohen protestës së sotme në Tiranë, e cila zhvillohet në një klimë të tensionuar politike dhe në një moment kur protesta studentore kundër qeverisë vijon prej 19 ditësh.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME