Indeksi i Çmimeve të Konsumit, treguesi që mat luhatjet në çmimet e produkteve dhe shërbimeve që përdor një familje mesatare, shënoi rritje vjetore prej 2,3% në gusht 2025, krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, kur ky ndryshim ishte 2,0%. Krahasuar me korrikun, çmimet u rritën me 0,3%.
Ku është ndjerë më shumë rritja?
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, ndikimi më i madh në rritjen vjetore ka ardhur nga grupi i argëtimit dhe kulturës, me një rritje prej 6,3%. Pas tij, më të shtrenjta janë bërë pijet alkoolike dhe duhani me 3,3%, si dhe qiratë, uji, lëndët djegëse dhe energjia me 3,1%.
Një tjetër ndikim i fortë ka ardhur nga ushqimet dhe pijet joalkoolike, të cilat janë rritur mesatarisht me 2,5%. Gjithashtu, shtrenjtim kanë regjistruar edhe mobiljet dhe pajisjet e shtëpisë (+2,8%) dhe hotelet, kafenetë e restorantet (+2,2%).
Ushqimet: vajrat dhe bulmeti në krye të rritjes
Brenda grupit të ushqimeve, disa produkte janë bërë dukshëm më të shtrenjta.
-
Vajrat dhe yndyrnat kryesojnë me një rritje prej 6,5%,
-
qumështi, djathi dhe vezët janë rritur me 3,6%,
-
mishi me 3,2% dhe
-
peshku me 2,4%.
Ndërkohë, frutat janë shtrenjtuar me 2,1% dhe zarzavatet me 1,3%, duke ndikuar drejtpërdrejt në shportën e përditshme të konsumatorëve.
Rritjet mujore: energjia dhe shërbimet
Në raport me korrikun, tre grupet që kanë parë rritje më të lartë prej 0,5% secili janë:
-
qiratë, uji, lëndët djegëse dhe energjia,
-
argëtimi dhe kultura,
-
hotelet, kafenetë dhe restorantet.
Ndërkohë, mobiljet dhe pajisjet e shtëpisë janë shtrenjtuar me 0,4%, kurse ushqimet, pijet alkoolike dhe duhani, si edhe veshjet e këpucët janë rritur me 0,3%.