“Rama të japë dorëheqjen, Kuvendi të shpërndahet, protestuesit po brutalizohen!”/ Bylykbashi përplaset me Manjën në komision: Mos i strehoni dhunuesit në seli

TIRANË, 27 tetor 2026 /Albania Express News/-Debate dhe përplasje mes deputetit të PD-së, Oerd Bylykbashi, dhe ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve.

Bylykbashi akuzoi Policinë e Shtetit për dhunë joproporcionale ndaj protestuesve gjatë 15 ditëve të protestave, ndërsa kërkoi hetimin e zinxhirit komandues të policisë. Ai përsëriti kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie kujdestare dhe vetëshpërndarjen e Kuvendit.
Manja iu përgjigj duke akuzuar opozitën se po përdor dhunën për qëllime politike dhe se selia e PD-së është kthyer, sipas tij, në një vend ku strehohen personat e përfshirë në aktet e dhunshme. Ministri tha se çdo rast i përdorimit joproporcional të forcës nga policia duhet të hetohet nga organet kompetente, por kërkoi që opozita të dënojë edhe dhunën ndaj efektivëve dhe institucioneve

Debati i plotë në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike:
Bylykbashi: Sot është dita e 15-të që studentët, gjimnazistët, familjarët e tyre, qytetarët e Republikës së Shqipërisë janë në protestë kundër qeverisë. Kanë 15 ditë që përballen haptas me regjimin. Është në sytë e të gjithëve shkelja brutale e të drejtave të tyre për të dalë në një protestë paqësore nga policia e pushtetit. Kemi plagosje të rënda nga Policia e Shtetit, duke i çuar në invaliditet protestuesit. I kanë nxjerrë syrin, i kanë thyer gjymtyrët, i kanë frakturuar kafkën, duke përdorur një dhunë shtazarake, krejt të papërpjesëtuar, joproporcionale, në shkelje të Kushtetutës.
Janë përdorur mjetet e dhunës për të shpërndarë protesta paqësore. Shumica dërrmuese aty janë për të bërë një protestë paqësore. Në shkelje të Kushtetutës, e nënvizuar për vite me radhë nga Avokati i Popullit, apo edhe përdorimi i arrestimit si mjet intimidimi për të mos marrë pjesë në atë që është e drejtë kushtetuese: tubime paqësore.
Manja: Vazhdo me procedurën, se këto i kam dëgjuar përditë. Këto i dëgjoj përditë.
Bylykbashi: Janë me qindra protestuesit që kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore, duke u goditur me armë zjarri, me fishekë gome, në kundërshtim me standardet ndërkombëtare.
Manja: Edhe punonjësit e Policisë së Shtetit. Mbi 100 punonjës të Policisë së Shtetit.
Bylykbashi: Sot Prokuroria duhej të hetonte të gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Shtetit, por rri aty. Dhe kjo nuk do të kalojë pa pasoja as për ata, por edhe pa pasoja për policinë e pushtetit. Të gjithë efektivët që janë përfshirë në këto dhunime brutale do të përgjigjen një për një, me koston që të bëhet një spastrim i plotë i këtyre kriminelëve që rrahin në mënyrë shtazarake, jo për të përmbajtur individin, i cili ndoshta po përdor mjetet që nuk duhet t’i përdorë, por për t’i brutalizuar.
Dhe i lënë aty në shesh, i lënë në shesh, i gjuajnë nëpër rrugica. Ku e keni parë këtë? Ju kujtohet kur e keni parë këtë? Koha e stampistave e kohës së komunizmit. Këtu ka ardhur sot. Dalin për të ndaluar: “Ku shkon ti?”, dhe po të panë edhe me maskë kirurgjikale, të shoqërojnë. E mendoni sikur të jetë fëmija juaj.
Manja: Zoti Bylykbashi, lëri këto e vazhdo me procedurën… Nuk keni për të ardhur në pushtet.
Bylykbashi: S’ka lidhje.
Manja: Ka lidhje, ta them unë, se e keni kthyer selinë e PD-së në seli dhune. T’ju vijë turp, t’ju vijë turp. Ka një jetë që merremi me atë seli dhune. Po ik tani. Nuk presin qytetarët për t’ua qarë hallet ju tani…
Bylykbashi: Këtij komisioni po i vjen një paketë dhunimi të të drejtave të njeriut.
Manja: Hajdeni ta diskutojmë këtu paketën, mos rrini rrugëve.
Bylykbashi: Ka dy kërkesa: Edi Rama jep dorëheqjen, është kërkesa e kujtdo në shesh, edhe e juaja brenda jush, dhe një qeveri kujdestare. Dhe Parlamenti, mbi bazën e diskutimeve të Kodit Zgjedhor, të vetëshpërndahet. E ka të rregulluar ligji. Para 20 vjetësh e kemi parashikuar pikërisht këtë gjendje. Parlamenti ka detyrimin moral dhe bazën ligjore të vetëshpërndahet.
Duhet që qytetarët të marrin në dorë fatin dhe ta shprehin vullnetin e tyre me zgjedhje. PD është me ta, përditë. Do t’i mbështesim, do t’i mbrojmë. Ju duhet t’i thërrisni moralit tuaj.
Mos u bëni me atë bandit. Nëse Kuvendi nuk shpërndahet, turpi moral do të jetë i juaji. Ky Kuvend duhet t’u përgjigjet atyre që janë në shesh. Provoni, dilni në shesh dhe provojeni. Takojini për një sekondë vetëm dhe do të merrni vesh kush është fatura e qeverisjes.
Manja: Pse s’del ti? Dil, dil, dil. Vazhdoni të shihni ëndrra në diell, por kur dilni te Lana, vishuni me plastmas. Vazhdoni, por mos i strehoni te selia ata dhunuesit.
Për të qenë të ndershëm deri në fund, kolegët e opozitës, se dhe kjo është mungesë serioziteti, vijnë e mbajnë deklarata që duhet t’i mbajnë nga selia e tyre dhe pastaj largohen dhe braktisin mbledhjet e komisionit.
Për të qenë të ndershëm deri në fund, do të duhet të dënohet dhuna, në radhë të parë mbi Policinë e Shtetit, mbi institucionet publike, mbi pronën private dhe publike. Dhe sigurisht pastaj shteti ka mekanizmat e veta, agjencitë e veta ligjzbatuese dhe, nëse dhuna është disproporcionale, organet kompetente të merren me hetimin e dhunës.
Por s’mund të na bëjnë moral këta. Këta që dhunën dhe shkatërrimin e kanë në ADN-në e vet politike. Unë nuk e di se si kanë fytyrë e vijnë e flasin nëpër komisione apo në sallën e Parlamentit, kur e ka parë i madh dhe i vogël publikisht se si selia e tyre është kthyer në një depo armatimi, lëndësh piroteknike e materialesh të tjera, maskash kundër gazit për të gjuajtur Policinë e Shtetit.
Edhe thonë: “Kemi popullin me vete”. Kanë një popull me vete që nuk bëhen as sa një grusht njerëzish për të dalë në shesh. Ua vodhën dhe kauzën studentëve. Se në ato kërkesa ka dhe kërkesa racionale, me të cilat po merret qeveria dhe është detyra jonë si shumicë.
Nëse kanë vendosur që të vijnë në komision e të bëjnë të tilla shfaqje teatrale, turpi, le të shohin ëndrra në diell.
Boll ky vend ka vuajtur nga dhuna dhe nga dhuna e këtyre, në fakt. Dhe Partia Socialiste e ka treguar me vepra që, sa herë ka marrë pushtetin, ka ditur të bëjë shtet.
Strategji! Këta janë në shesh! Se ku janë në shesh këta, unë nuk e di. Këta në shesh, në ballë të studentëve! Këta në ballë të studentëve e studentët pas këtyre! Studentët e këtyre nga 40 vjeç, që dalin nga selia e PD-së me kartë studenti. Studentët nuk e duan dhunën e s’kanë qenë ndonjëherë për dhunë studentët në Shqipëri./Tch

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME