TIRANË, 25 tetor 2026 /Albania Express News/-Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u bëri thirrje sot shqiptarëve në Serbi të dalin masivisht në votime, pasi zëri i tyre duhet të ushtojë fuqishëm.
“Duhet të bëj një ftesë për të gjithë shqiptarët e komunave të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, në këto komuna dhe kudo që janë, të marrin pjesë në këto votime me të cilat krijuan një front të përbashkët në mënyrë që të kenë përfaqësimin më të madh të mundshëm”, tha Berisha, gjatë një komunikimi në rrjetet sociale.
Përfaqësimi i tyre në parlamentin e Serbisë, sipas Berishës, është me një rëndësi të veçantë pasi zëri i tyre duhet të ushtojë fuqishëm në atë parlament, por edhe në të gjitha institucionet ndërkombëtare sepse ata janë qytetarët më të shtypur në Evropë.
“Ndaj dhe uroj që me votën e tyre të kenë përfaqësuesit më dinjitozë në parlamentin e Republikës së Serbisë”, shtoi ai.

