Durrës – KF Teuta, futbolli në shërbim të solidaritetit: bursa sportive për fëmijët e Shtëpisë së Foshnjës

NGA FATMIR POPJA

DURRËS , 25 tetor 2026 /Albania Express News/-Klubi i Futbollit Teuta e Durrësit  ka përcjellë këtë fundjavë  një mesazh të fortë humanizmi dhe përfshirjeje sociale, duke u ofruar fëmijëve mbi 5 vjeç mundësinë të bëhen pjesë e Akademisë së Futbollit Teuta.

Futbolli nuk është vetëm një lojë që bashkon tifozët në stadiume, por edhe një mundësi për të përcjellë mesazhe humanizmi, solidariteti dhe përkujdesjeje ndaj atyre që kanë më shumë nevojë. Një shembull të tillë ka dhënë KF Teuta, e cila ka zgjedhur t’u qëndrojë pranë fëmijëve të Shtëpisë së Foshnjës në Durrës, duke i bërë pjesë të një nisme me vlera të rëndësishme sociale.

Në ndeshjen e zhvilluar  me AF Elbasani mbrëmjen e kaluar në stadiumin “Niko Dovana”  futbollistët e skuadrës durrsake zbritën në fushë dorë për dore me fëmijët e këtij institucioni, duke përcjellë një mesazh të qartë për solidaritetin, përfshirjen dhe përgjegjësinë që institucionet sportive kanë ndaj komunitetit.

Ky moment simbolik ishte vijim i një vizite të zhvilluar më herët nga përfaqësuesit e klubit pranë fëmijëve të Shtëpisë së Foshnjës 1 në Shkozet të Durrësit , ku përveç dhuratave, KF Teuta ofroi edhe bursa sportive për fëmijët mbi 5 vjeç, duke u krijuar mundësinë të bëhen pjesë e Akademisë së Futbollit Teuta.

Përtej mbështetjes simbolike, kjo nismë synon t’u hapë fëmijëve dyert e sportit, duke u dhënë mundësinë të zhvillojnë aftësitë e tyre, të përfshihen në aktivitete sportive dhe të përjetojnë emocionet e futbollit në një mjedis që promovon bashkëpunimin, disiplinën dhe frymën e ekipit.

Presidenti i klubit, Fatos Troplini, ka theksuar se angazhimi ndaj komunitetit është pjesë e përgjegjësisë sociale të Teutës, duke e cilësuar klubin si një familje të madhe, ku vlerat njerëzore zënë një vend të rëndësishëm krahas objektivave sportive.

Mesazhi që fëmijët mbanin të shkruar në bluzat e tyre, “Jemi edhe ne këtu”, ishte një thirrje për më shumë vëmendje, përkujdesje dhe solidaritet. Një mesazh që përputhet edhe me misionin “Mbrojmë fëmijët”, duke vënë në qendër rëndësinë e mbështetjes dhe krijimit të mundësive për çdo fëmijë.

Në këtë mënyrë, KF Teuta tregon se roli i një klubi futbolli nuk kufizohet vetëm te rezultatet, renditja apo objektivat në fushën e lojës. Ai shtrihet edhe në jetën e komunitetit, përmes nismave që nxisin përfshirjen sociale dhe kontribuojnë në krijimin e mundësive të reja për brezat e rinj.

Dorë për dore në fushë, pranë njëri-tjetrit edhe jashtë saj. Ky është mesazhi që Teuta përcolli përmes këtij aktiviteti, duke dëshmuar se sporti mund të jetë një urë shprese, një hapësirë përfshirjeje dhe një mundësi për t’u gjendur pranë atyre që kanë nevojë për më shumë mbështetje.

Sepse, përtej golave dhe fitoreve, futbolli fiton vlerën e tij më të madhe kur shërben për njerëzit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Tubimi në Bulevard, protestuesit thyejnë xhamat e Kryesisë së Kuvendit

TIRANË, 25 tetor 2026 /Albania Express News/-Pas kapsollave gjatë...

Dinamo City pret kampionët e Egnatias në “Elbasan Arena”, Ilir Daja rikthen kapitenin në formacion

ELBASAN, 25 tetor 2026 /Albania Express News/-Kampionët zbresin në...

Sali Berisha thirrje shqiptarëve në Serbi: Dilni masivisht në votime, zëri juaj duhet të ushtojë fuqishëm

TIRANË, 25 tetor 2026 /Albania Express News/-Kryetari i Partisë...