TIRANË, 08 tetor 2026 /Albania Express News/- Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka intensifikuar monitorimin në akset rrugore që lidhin zonat pyjore me rrugët nacionale, me qëllim parandalimin dhe ndëshkimin e rasteve të prerjes dhe transportit të paligjshëm të lëndës drusore.
Sipas njoftimit të IKMT-së, kontrollet po zhvillohen në disa zona të vendit, duke u fokusuar veçanërisht në lëvizjen e mjeteve që transportojnë materiale drusore dhe në verifikimin e dokumentacionit përkatës.
Një rast është konstatuar në segmentin rrugor që lidh Pogradecin me Korçën, ku strukturat e IKMT-së kanë bllokuar një mjet të kapur në flagrancë duke transportuar lëndë drusore pa dokumentacionin e nevojshëm.
IKMT bën të ditur se ndaj rastit janë ndërmarrë masat përkatëse, ndërsa kontrolli i mjeteve që transportojnë lëndë drusore do të vijojë në kuadër të monitorimit të akseve që lidhen me zonat pyjore.
Ndërkohë, një tjetër shkelje është evidentuar në territorin e Bashkisë Himarë, nga Drejtoria Rajonale e IKMT Vlorë. Sipas institucionit, është konstatuar një rast i prodhimit të qymyrit në një parcelë pyjore.
Për këtë rast janë marrë masat ligjore administrative ndaj subjektit, ndërsa lënda drusore është bllokuar nga strukturat inspektuese.
IKMT thekson se monitorimi i zonave pyjore dhe akseve rrugore që shërbejnë për transportin e lëndës drusore do të vijojë, me fokus identifikimin e rasteve të paligjshme dhe zbatimin e masave të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.


