NGA FATMIR POPJA
Familja e futbollistit të ndjerë vizitohet në Kosovë nga drejtuesit e klubit verdheblu. Prindërit Fatmiri dhe Fatmira Bunjaku: “Ky kujdes na e lehtëson dhimbjen therëse të tragjedisë”. Fanella me numrin 27 dhe portreti i Fatjonit, tashmë pjesë e kujtesës së përhershme të AF Elbasanit
KOSOVË, 07 tetor 2026 /Albania Express News/- Dhimbja për humbjen tragjike të futbollistit Fatjon Bunjaku vazhdon të jetë e pranishme në familjen e tij, por po aq e fortë mbetet edhe lidhja njerëzore dhe sportive që ai krijoi me AF Elbasanin dhe qytetin e Elbasanit.
Në një prej këtyre ditëve të kësaj jave , familja Bunjaku në Kosovë ka pritur në shtëpinë e saj dy përfaqësues të klubit verdheblu, Drejtorin Sportiv Elton Guranjaku dhe Armand Memetajn , të cilët kanë udhëtuar për t’i qëndruar pranë familjes së ish-futbollistit të ndjerë të AF Elbasanit.
Vizita nuk ishte thjesht një takim institucional. Ishte një dëshmi e lidhjes së krijuar mes klubit dhe familjes së një futbollisti që, edhe pse qëndroi për një periudhë të kufizuar në Elbasan, arriti të fitojë respektin dhe dashurinë e tifozëve verdheblu.
Në emër të gjithë familjes së madhe të AF Elbasanit, drejtuesit i kanë përcjellë familjes Bunjaku respektin, mirënjohjen dhe solidaritetin e klubit, duke theksuar se mbështetja për familjen e Fatjonit nuk ka qenë vetëm në ditët e tragjedisë, por është një lidhje që klubi synon ta ruajë në vazhdimësi.

Një vizitë mes kujtimesh, dhimbjeje dhe mirënjohjeje
Gjatë qëndrimit në familjen Bunjaku, prindërit e Fatjonit, Fatmiri dhe Fatmira, vëllai Floardi, xhaxhallarët Besimi dhe Bekimi, si dhe gjyshi nga nëna, Izeti, kanë ndarë me përfaqësuesit e AF Elbasanit kujtime nga jeta dhe karriera e djalit të tyre.
Bisedat kanë qenë të mbushura me emocione. Kujtimet e periudhës kur Fatjoni veshi fanellën verdheblu kanë sjellë në vëmendje jo vetëm paraqitjet e tij në fushën e lojës, por edhe karakterin, edukatën, qytetarinë dhe marrëdhëniet njerëzore që ai ndërtoi me shokët e skuadrës, drejtuesit dhe tifozët.
Në një moment veçanërisht prekës, familjarët dhe përfaqësuesit e klubit kanë bërë homazhe pranë varrit ku prehet Fatjoni.
Pranë tij ata ishin edhe me një simbol që tashmë ka marrë një vlerë të veçantë për familjen dhe klubin: fanella me numrin 27, numri me të cilin Fatjon Bunjaku luajti si pjesë e AF Elbasanit.

Sot ajo fanellë nuk është më thjesht një uniformë sportive.
Ajo është kthyer në një kujtim dhe nderim të përhershëm të futbollistit që veshi ngjyrat verdheblu, luajti me përkushtim dhe fitoi zemrat e tifozëve.
“Fatjoni është larguar vetëm fizikisht nga familja Bunjaku ”
Fatmir Bunjaku, Babai i futbollistit të ndjerë e ka cilësuar një gjest fisnik dhe njerëzor kujdesin që AF Elbasani dhe presidenca e këtij klubi kanë treguar dhe vazhdojnë të tregojnë ndaj familjes së tyre.
Për familjen, humbja e Fatjonit mbetet një plagë që nuk mund të mbyllet, por fakti që klubi ku ai luajti nuk e ka harruar dhe vazhdon të qëndrojë pranë tyre, është një mbështetje e jashtëzakonshme emocionale.
“Ne nuk e kemi më mes nesh fizikisht Fatjonin, por ky kujdes i familjes verdheblu ndaj nesh na e lehtëson dhimbjen therëse të tragjedisë që përjetuam dhe të plagës që na la hapur”, shprehet babai i tij, duke vlerësuar maksimalisht marrëdhënien e krijuar me AF Elbasanin.

Sipas tij, familja verdheblu tregoi dinjitet në çdo aspekt gjatë periudhës që Fatjoni ishte pjesë e saj, duke përfshirë kontratën, pagesat, mbështetjen dhe respektin njerëzor.
Për familjen Bunjaku, Fatjoni nuk është larguar nga kjo Botë.
“Fatjoni është larguar vetëm fizikisht nga kjo botë, por për ne ai është i gjallë. Ai rron jo vetëm në kujtimet e familjes por edhe në zemrat e tifozërisë, të shokëve të skuadrës dhe të qytetit të Elbasanit.”
Portreti i tij në “Elbasan Arena” dhe thirrjet e tifozëve
Një prej dëshmive më të forta se Fatjon Bunjaku është bërë pjesë e historisë së AF Elbasanit është edhe mënyra se si klubi dhe tifozët e kanë përjetësuar figurën e tij.
Portreti i Fatjonit është vendosur në hyrjen kryesore të stadiumit “Elbasan Arena”, ndërsa imazhi i tij është shfaqur edhe në banderolat e tifozëve ultras gjatë ndeshjeve.

Për familjarët, këto momente janë të jashtëzakonshme emocionalisht.
Ata vazhdojnë të shkojnë familjarisht në stadium dhe të ndjekin ndeshjet e AF Elbasanit, klubin ku luajti djali i tyre.
Në tribunat e “Elbasan Arena”-s ende dëgjohen thirrjet:
“Fatjon Bunjaku! Fatjon Bunjaku!”
Janë të njëjtat thirrje që dikur shoqëronin paraqitjet e tij në fushë, por sot ato kanë një kuptim tjetër .Sot ato janë thirrje kujtese, respekti dhe dashurie për një futbollist që u nda nga jeta shumë herët.
Homazhet në “Elbasan Arena”
Pas lajmit tragjik për ndarjen nga jeta të Fatjon Bunjakut, AF Elbasani organizoi homazhe në hyrjen kryesore të stadiumit “Elbasan Arena”.
Në homazhe morën pjesë një numër i madh qytetarësh, tifozësh, sportistësh, drejtuesish dhe miqsh të futbollistit.
Klubi e përshkroi humbjen si një tragjedi të rëndë, duke theksuar se Fatjoni nuk ishte vetëm një lojtar, por një njeri që mbajti me krenari ngjyrat e klubit dhe la gjurmën e tij në historinë e AF Elbasanit.
Në ato momente të vështira, mendimet dhe lutjet e familjes verdheblu ishin me familjen Bunjaku, miqtë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njihnin dhe të punonin me Fatjonin.

Mirënjohja e familjes për Elbasanin
Familja Bunjaku shpreh sot mirënjohjen e saj të thellë për të gjithë ata që qëndruan pranë saj pas tragjedisë.
Falënderimi shkon për Presidencën e AF Elbasanit, drejtuesit, trajnerët, futbollistët, tifozërinë verdheblu, gazetarët dhe qytetarët e Elbasanit, të cilët i kanë bërë nderime të jashtëzakonshme Fatjonit dhe vazhdojnë ta mbajnë gjallë kujtimin e tij.
Për familjen, kjo është dëshmi se Fatjoni nuk ishte thjesht një futbollist që kaloi nëpër një klub.
Fatjon Bunjaku ishte bërë pjesë e familjes sportive të Elbasanit.
Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse familja Bunjaku e konsideron të veçantë marrëdhënien e krijuar me AF Elbasanin.

Ngushëllimet drejtuesit e nga futbollit shqiptar dhe kosovar
Pas lajmit të rëndë, reagimet prekëse erdhën nga futbollistë, klube, drejtues dhe figura të rëndësishme të futbollit shqiptar e kosovar.
Edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, shprehu ngushëllimet për familjen Bunjaku.
Mesazhe ngushëllimi pati edhe nga institucionet dhe strukturat e futbollit në Shqipëri dhe Kosovë, duke dëshmuar se humbja e Fatjonit preku një komunitet shumë më të gjerë se vetëm klubin ku ai luajti së fundmi.
Njëw karrierë e ndërtuar mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë
Fatjon Bunjaku kishte ndërtuar një karrierë të pasur në futbollin profesionist, duke qenë pjesë e disa skuadrave në Kosovë, Shqipëri dhe Kroaci.
Ai kishte luajtur për Trepçën, Zmaj Makarska, FC Phoenix, Lirinë e Prizrenit, Gjilanin, Malishevën dhe AF Elbasanin.
Rrugëtimi i tij në futbollin profesionist kishte nisur te Trepça, klub ku u formua dhe hodhi hapat e parë në futbollin e të rriturve.
Më pas provoi një aventurë në Kroaci, te Zmaj Makarska, përpara se të rikthehej sërish te Trepça.
Më tej, Bunjaku veshi fanellën e Phoenixit, për të vijuar karrierën te Liria e Prizrenit. Pas kësaj ai iu bashkua Gjilanit dhe, vetëm disa muaj më vonë, Malishevës.
Paraqitjet e mira në Superligën e Kosovës bënë që në verën e vitit 2025 të transferohej te AF Elbasani, duke iu bashkuar elitës së futbollit shqiptar.

Në sezonin e fundit, Fatjon Bunjaku luajti 32 ndeshje me fanellën e AF Elbasanit.
Numri 27, tashmë pjesë e historisë së klubit
Në futboll, numrat në fanellë zakonisht ndryshojnë nga një sezon në tjetrin.
Por ka raste kur një numër lidhet përgjithmonë me një emër, një histori dhe një kujtim.
Për familjen Bunjaku dhe tifozët e AF Elbasanit, numri 27 është tashmë i lidhur me Fatjonin.
Ai numër mbetet simbol i një periudhe të shkurtër, por të rëndësishme, të karrierës së tij.
Një karrierë që u ndërpre tragjikisht në qershor të këtij viti, kur Fatjon Bunjaku humbi jetën në një aksident rrugor, duke u ndarë nga jeta në lule të rinisë.
Por ajo që nuk u ndërpre ishte lidhja e tij me futbollin, me AF Elbasanin dhe me njerëzit që e njohën.
Fatjoni nuk është më në fushë, por emri i tij vazhdon të dëgjohet në “Elbasan Arena”.
Ai nuk mund ta veshë më fanellën me numrin 27, por ajo fanellë tashmë është pjesë e kujtesës së klubit.
Dhe ndoshta kjo është forma më e bukur në të cilën një futbollist mund të mbetet përgjithmonë pjesë e historisë së një skuadre: duke u kujtuar, duke u respektuar dhe duke u dashur edhe pasi ka lënë fushën e jetës.

Për familjen Bunjaku, dhimbja mbetet e madhe.
Por krahas saj qëndron edhe mirënjohja.
Mirënjohja për AF Elbasanin që nuk e harroi djalin e tyre.
Mirënjohja për tifozët që vazhdojnë të thërrasin emrin e tij.
Dhe mirënjohja për Elbasanin, qytetin ku Fatjoni la një pjesë të zemrës së tij si futbollist.
Fatjon Bunjaku jeton në kujtime.
Në fanellën me numrin 27.
Në portretin e “Elbasan Arena”-s.
Në banderolat e tifozëve.
Dhe mbi të gjitha, në zemrat e atyre që e njohën dhe e deshën.

