TIRANË, 06 tetor 2026 /Albania Express News/-Bota e futbollit vazhdon të tronditet dhe ndaj FIFA po ngrihen akuza njëra pas tjetrës nga sektorë të ndryshëm. E fundit në listë ka të bëjë me portierin e Republikës Demokratike të Kongos, Lionel Mpasi që e kishte të ndaluar të luante në Botërorin e kësaj vere, diçka të cilën qeveria e futbollit botëror e shpërfilli.
Dhe në fakt portieri u aktivizua në turne dhe kjo shkaktoi indinjatë te Nigeria, kombëtarja që mbeti jashtë botërorit në kualifikueset e kompeticionit në zonën afrikane pikërisht nga Republika Demokratike e Kongos. Sipas të përditshmeve New York Times dhe Le Monde që siguruan dokumentacionin, funksionarët e FIFA-s kishin konstatuar se Mpasi nuk kishte dokumentet e nevojshme për t’u aktivizuar në kompeticionin madhor të futbollit. Në prag të Botërorit, zyrtarët ligjorë të qeverisë së futbollit botëror kishin pranuar në mënyrë private se Republika Demokratike e Kongos po aktivizonte një futbollist që nuk mund të merrte pjesë në turne
Kongos i duhej edhe një ndeshje më shumë për t’u kualifikuar për në Kupën e Botës, ajo e playoffit me Xhamajkën. FIFA lejoi si futbollistin ashtu edhe skuadrën që të vijonin me Republikën Demokratike të Kongos që arriti të mposhtë Xhamajkën dhe të sigurojë një vend në turne.

