TIRANË, 5 tetor 2026 /Albania Express News/- Portieri italian i Cagliarit, Elia Caprile, është përmendur ditët e fundit si një alternativë e mundshme për portën e Kombëtares shqiptare, pas raportimeve për një interesim të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Megjithatë, përtej interesimit sportiv, situata e portierit 25-vjeçar është e ndërlikuar nga rregulloret e FIFA-s për të drejtën e përfaqësimit të një kombëtareje.
Sipas raportimeve të mediave shqiptare, interesimi për Caprile lidhet edhe me partneren e tij, Emili Toshkollari, me origjinë shqiptare. Është raportuar gjithashtu se mundësia e pajisjes së portierit me shtetësi shqiptare mund të jetë diskutuar, por deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar për nisjen apo përfundimin e një procedure të tillë.
Por pasaporta nuk mjafton
Rregullat e FIFA-s janë të qarta: marrja e një shtetësie të re nuk e bën automatikisht një futbollist të pranueshëm për të përfaqësuar kombëtaren e atij vendi.
FIFA ka theksuar edhe në udhëzimin e saj të përditësuar në shtator 2026 se, në rastet kur kërkohet një lidhje e tillë, lojtari duhet të ketë një lidhje të përcaktuar objektivisht me territorin e federatës përkatëse, përmes lindjes, prejardhjes ose qëndrimit.
Rregullorja parashikon, ndër të tjera, se një lojtar që merr një shtetësi të re mund të përfaqësojë vendin nëse ka lindur në territorin përkatës, nëse njëri prej prindërve ose gjyshërve ka lindur atje, ose nëse ka jetuar vazhdimisht për të paktën pesë vite pas moshës 18-vjeçare në atë territor.
Në rastin e Caprile-s, raportimet e fundit sugjerojnë se lidhja shqiptare përmes partneres së tij nuk përbën në vetvete një nga kriteret e parashikuara nga FIFA.
Caprile është grumbulluar më herët nga Italia, por nuk ka debutuar me Kombëtaren A. Kjo e mban teorikisht të hapur çështjen e së ardhmes së tij ndërkombëtare, por vetëm nëse plotësohen kriteret e FIFA-s për përfaqësimin e një tjetër federate.
Për momentin, pra, emri i portierit të Cagliarit mbetet më shumë pjesë e diskutimeve dhe raportimeve mediatike sesa një alternativë e konkretizuar për Kombëtaren shqiptare.
FSHF aktualisht ka në dispozicion Thomas Strakoshën, Elhan Kastratin dhe Mario Dajsinanin në listën e portierëve të Kombëtares.
Nëse Caprile nuk plotëson kriteret e FIFA-s, edhe marrja eventuale e pasaportës shqiptare nuk do t’i jepte automatikisht të drejtën për të veshur fanellën kuqezi.

