Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar deklaroi se zhvillimi dhe menaxhimi i kompetencave digjitale është një nga prioritetet kryesore të vitit shkollor 2025–2026. Synimi është që nxënësit të aftësohen për të përdorur teknologjinë jo vetëm si mjet për të marrë dije, por edhe si hapësirë për mendim kritik, krijimtari dhe përgatitje për tregun e punës.
Përmes laboratorëve SmartLab, klasave STEM dhe inteligjencës artificiale, si dhe platformave digjitale, po krijohen kushte për zhvillimin e kompetencave të shekullit XXI. Një rëndësi të veçantë ka formimi i vazhdueshëm i mësuesve dhe rrjetet profesionale që garantojnë menaxhim cilësor në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.
Në bashkëpunim me universitetet dhe institucionet partnere, po ndërtohet një qasje kombëtare për integrimin e kompetencës digjitale në kurrikulë, si pjesë e vizionit për një shkollë moderne dhe gjithëpërfshirëse, ku çdo nxënës përgatitet për sfidat e së ardhmes.