Detaje të reja janë zbuluar mbi gjendjen shëndetësore të Nuredin Dumanit, dëshmitarit të Prokurorisë së Posaçme dhe “asit” të SPAK-ut në zbardhjen e ngjarjeve kriminale. Burime pranë mediave bëjnë me dije se pasditen e së shtunës, Dumani filloi të ndihej keq teksa konsumonte karkaleca në qelinë e tij.
Sipas raportimeve, “pentito” fillimisht pati probleme me frymëmarrjen dhe më pas pësoi çrregullim të rrahjeve të zemrës, duke rënë në gjendje të fikëti. Ai u transportua me urgjencë fillimisht në Spitalin e Burgut 313, por për shkak të historikut të tij kardiak, u dërgua në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”, ku qëndron nën mbikëqyrje të policisë dhe efektivëve të RENEA-s.
Në momentin e paraqitjes në urgjencë, Dumani ishte i pavetëdijshëm dhe nuk mund të fliste. Ai iu nënshtrua skanimeve në kokë, bark dhe gjoks, dhe më pas u vendos në Reaminacionin e Kirurgjisë, ku po qëndron në një dhomë VIP, i vetëm.
Sipas informacionit zyrtar, gjendja e tij shëndetësore konsiderohet stabël. Megjithatë, stafi mjekësor ka marrë kampion gjaku për të verifikuar dyshimet për një helmim të mundshëm, pasi Dumani deklaroi se problemet nisën pas konsumimit të karkalecave.
Dy ditë më parë, vëllai i tij, Fitim Dumani, foli për herë të parë për të kaluarën e errët të Nuredin Dumanit dhe për aksidentin e vitit 2009, kur ai pësoi dëmtime të rënda në këmbë dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në zemër. Pas një periudhe rehabilitimi dhe pensioni invaliditeti, Dumani hyri në botën e krimit, duke punuar si grabitës dhe më pas si vrasës me pagesë.