TIRANË ,28 shtator 2026 /Albania Express News/-Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, tha sot se Shqipëria synon të përmbyllë negociatat teknike për anëtarësimin në Bashkimin Europian brenda vitit 2027 dhe të bëhet pjesë e BE-së brenda kësaj dekade.
Gjatë fjalës së tij në Konferencën Ndërparlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”, Peleshi vlerësoi se procesi i integrimit europian mbetet prioriteti kryesor i vendit.
Ai theksoi angazhimin e Kuvendit në diplomacinë parlamentare dhe në forcimin e marrëdhënieve me institucionet europiane dhe parlamentet e vendeve anëtare.
“Zgjerimi mbetet misioni më fisnik i familjes europiane. Ai përputh kufijtë politikë dhe ekonomikë të Evropës me kufijtë e saj natyrorë, historikë dhe kulturorë. Sot në një kontekst të ri gjeopolitik dhe strategjik, me sfida të mprehta për sigurinë dhe paqen, Bashkimi Europian është më i rëndësishëm se kurrë si garanci stabiliteti.
“Në këtë trajektore, busulla e Shqipërisë mbetet e pandryshuar. Ne kemi vetëm një plan, dhe ky është Bashkimi Evropian. Objektivi ynë është rreptësisht i qartë: mbyllja e negociatave teknike brenda vitit 2027 dhe anëtarësimi plotë brenda kësaj dekade”, tha Peleshi.
Kryetari i Kuvendit u ndal edhe te mbështetja e qytetarëve shqiptarë për integrimin europian. Sipas tij, mbi 91% e shqiptarëve janë pro anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke iu referuar të dhënave të Eurobarometrit.
“Për ne, kjo nuk është thjesht një arritje politike, është një trashëgimi që ushqehet nga ADN-ja e rilindjes sonë kombëtare. Rilindasit tanë e panë Shqipërinë gjithmonë si pjesë të pandarë të qytetërimit europian. Kjo trashëgimi përkthehet sot në një mbështetje popullore të jashtëzakonshme të qytetarëve shqiptarë. Mbi 91% e shqiptarëve, sipas Eurobarometrit, janë pro Bashkimit Europian. Kjo është shifra më e lartë midis të gjitha vendeve kandidate dhe më e lartë se në shumë prej vendeve anëtare”, tha ai.
Peleshi tha se kjo mbështetje përbën njëkohësisht frymëzim dhe përgjegjësi për institucionet shqiptare për të vijuar reformat dhe përmbushjen e detyrimeve që lidhen me procesin e integrimit.
Sipas Peleshit, procesi i zgjerimit nuk duhet të mbetet vetëm në nivelin e negociatave institucionale, por duhet të shoqërohet me një përfshirje më të madhe të qytetarëve dhe komuniteteve.
Peleshi nënvizoi gjithashtu se Shqipëria ka vijuar përafrimin me politikat e BE-së në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Ai tha se politika e jashtme dhe e sigurisë e Shqipërisë është “100% e linjëzuar” me atë të Bashkimit Europian.
“Politika jonë e jashtme dhe e sigurisë është 100% e linjëzuar me atë të Bashkimit Europian. Kontributet e Shqipërisë në operacionet dhe misionet të drejtuara nga Bashkimi Europian janë të dalluara”, tha Peleshi.
Sipas tij, Shqipëria vijon të kontribuojë në operacionet dhe misionet e drejtuara nga BE-ja dhe mbetet partnere e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara në kuadër të angazhimeve euroatlantike.
“Shqipëria është partner i përkushtuar i NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara me angazhime domethënëse në zonën euroatlantike. Ajo shërben si aspirant stabiliteti dhe si faktor shumëfishues i sigurisë në rajon dhe në kontinentin europian”, tha Peleshi.

