TIRANË, 27 shtator 2026 /Albania Express News/- Kapiteni i Bjellorusisë, Zakhar Volkov, ka folur pas humbjes 2-0 ndaj Shqipërisë, në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve, duke komentuar si paraqitjen e skuadrës së tij, ashtu edhe episodin e debatit me arbitrin dhe atmosferën e krijuar nga tifozët shqiptarë.
Mbrojtësi bjellorus tha se skuadra e tij po zhvillonte një ndeshje të mirë, por sipas tij penalltia në favor të Shqipërisë ndikoi në mënyrë të drejtpërdrejtë në ecurinë e takimit. Volkov theksoi se pas atij momenti skuadra humbi përqendrimin dhe pësoi edhe golin e dytë në fund të pjesës së parë.
I pyetur për debatin me arbitrin, kapiteni bjellorus pranoi se reagimi i tij nuk kishte të bënte me ndonjë episod të vetëm konkret.
“Për asgjë konkrete në fakt. Unë as anglisht nuk di mirë. Kështu që, thjesht e shava pak. Sipas mendimit tim, ai mund të kishte vërshëllyer disa faulle edhe në favorin tonë.”
Volkov foli edhe për atmosferën në “Air Albania”, ku mijëra tifozë shqiptarë krijuan një presion të jashtëzakonshëm gjatë gjithë ndeshjes.
“Jo, nuk na ndikoi për keq, përkundrazi, është kënaqësi të luash në transfertë në një atmosferë të tillë. Unë vetëm e shijova. Për ndeshje të tilla punon dhe stërvitesh çdo ditë. Është një adrenalinë e vërtetë.”
Kapiteni i Bjellorusisë u ndal edhe te fakti se kombëtarja e tij nuk mund të zhvillojë ndeshjet në shtëpi, për shkak të kufizimeve që lidhen me organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare në Bjellorusi.
“Fatkeqësisht, ne nuk mund të luajmë në shtëpinë tonë. Besoj se edhe ne do të kishim mbledhur shumë tifozë dhe mbase rezultati do të ishte ndryshe. Është gjithmonë më mirë të luash në shtëpi”, deklaroi Volkov.
Shqipëria e mbylli takimin me fitoren 2-0, duke e nisur me sukses aventurën në Ligën e Kombeve. 🇦🇱

