Nga vend i panjohur në destinacion modern: si e shohin grekët Shqipërinë

Dikur një vend i panjohur dhe i perceptuar si i mbyllur për fqinjët, Shqipëria po shndërrohet me shpejtësi në një prej destinacioneve më tërheqëse për turistët grekë. Gazeta greke Kathimerini shkruan se tashmë askush nuk e konsideron më Shqipërinë si një vend misterioz, ku shkonin vetëm udhëtarë të guximshëm, por si një alternativë cilësore dhe ekonomikisht të përballueshme për pushime.

Vetëm gjatë vitit 2024 mbi 700 mijë shtetas grekë kaluan kufirin për të pushuar në vendin tonë, një shifër e paimagjinueshme deri pak vite më parë.

Çfarë i tërheq turistët grekë
Në dëshmitë e tyre për median greke, vizitorët përshkruajnë bregdetin e bukur dhe të organizuar, hotelet moderne me çmime më të ulëta se në Greqi, si dhe mikpritjen shqiptare që i bën të ndihen të sigurt. Një tjetër element pozitiv për ta është se Shqipëria është mjaft miqësore për kafshët shtëpiake.

Një vend në ndryshim
Përveç rivierës dhe plazheve të mbushura me pushues, sidomos në Durrës ku dominojnë turistët italianë, grekët vërejnë edhe ritmet e larta të modernizimit në Tiranë e qytete të tjera. Qiellgërvishtësit dhe ndërtimet e reja u japin ndjesinë e një vendi që po transformohet me shpejtësi.

Problemet që bien në sy
Megjithatë, vizitorët nuk i fshehin edhe pakënaqësitë: çmimet e larta të shezlongëve e çadrave që shkojnë deri në 20 euro seti, plazhe ku nuk lejohet vendosja e peshqirëve, si dhe kontrasti mes lagjeve të varfra dhe Tiranës moderne që kujtojnë Greqinë e viteve ’70.

Konkurrencë rajonale
Sipas Kathimerini, Shqipëria është sot një alternativë më e lirë dhe gjithnjë e më cilësore jo vetëm për grekët, por edhe një konkurrente serioze për turizmin në Greqi, Itali dhe vendet e tjera të Ballkanit. Për shumë vizitorë, ky udhëtim ka edhe një dimension tjetër: shembjen e paragjykimeve dhe afrimin mes dy popujve fqinj.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME