Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka, e cila nuk do të jetë më pjesë e legjislacionit të ri ka folur hapur lidhur me vendimin që do të merrte nëse do t’i mbërrinte një ftesë nga kryeministri Edi Rama për t’u bërë pjesë e kabinetit të ri qeveritar.
Për Açkën shqiptarët janë ata që kanë rëndësi dhe e mbajnë në këmbë, ndërkohë që nëse përballë do të kishte një mazhorancë e cila do të kishte parësore mirëqënien e shqiptarëve atëhere do të pranonte.
Por, duke qenë se sipas demokrates qeveria aktuale është “dramatike” atëhere e ka hedhur poshtë këtë mundësi për t’u bërë pjesë e kabinetit drejtues në rast se do t’i bëhej një kërkesë.
“Nëse është fjala për shqiptarët, unë për shqiptarët rri në këmbë. Por, çështja është kontrata. Ka një kontratë shumë të fortë për këtë gjë. Liria ime, qoftë si ministre, qoftë si nëpunëse, kudo që të jem, është e paprekshme.
Liria në raport me publikun shqiptar. Vendimet që marr unë, janë vendimet e mia në lidhje me ato principe të cilat i kam vendosur unë. Nëse principet nuk shkelen, nëse kontrata nuk shkelet… unë gjërat i kam publike. Po të vijë puna për gjëra që janë themelore për shqiptarët, nuk e shoh si dramatike.
Por, duke njohur CV-në e kësaj mazhorancë, është diçka dramatike dhe nuk do ta pranoja kurrë”, theksoi më tej Açka në A2CNN.
Kujtojmë se mbrëmjen e djeshme krueministri Edi Rama pohoi se skuadra për 4-vjeçarin e ardhshëm në qeveri do të jetë e përbërë nga emra të rinj.
I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu nëse do të shmangë emrat e politikanëve që kanë çështje të hapura me SPAK, Rama tregoi se asnjë prej anëtarëve të partisë së tij nuk është nën hetim.
-A do të ketë emra të rinj?
Rama: Do të jete qeveri e re. Jo çdo ministër apo ministre e ka parë veten në thashetheme se ka dhe ndonjë që nuk është përfolur fare.
-A do shmangësh ministrat që ndiqen nga SPAK?
Rama: Nuk kemi ministra që ndiqen nga SPAK. SPAK mund të hapi çështje çfarë të dojë, ne do të vazhdojmë punën tonë.



