Në ishullin e qetë të Shurdhahut, në liqenin e Vaut të Dejës, ku ruhen rrënojat e qytetit mesjetar të Sardës, arkeologët po kryejnë prej disa ditësh kërkime intensive.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bën me dije se projekti kërkimor shqiptaro-francez, nën drejtimin e arkeologeve Etleva Nallbani dhe Elvana Metalla, ka si qëllim dokumentimin e strukturave ekleziale që shenjojnë urbanizimin e qytetit mesjetar, duke eksploruar një sektor të ri – qytetin e sipërm.
Gjatë punimeve, arkeologët zbuluan një rrethim të ri, që dëshmon se Sarda ka pasur një sistem mbrojtës me tri unaza, duke pasuruar njohuritë mbi arkitekturën dhe strategjitë mbrojtëse të qytetit mesjetar.
Projekti prej vitesh studion edhe banorët mesjetarë të zonës, praktikat funerare, paleodemografinë, prodhimet dhe shkëmbimet ndërajonale. Në kuadër të kërkimeve u krye gjithashtu pastrimi i territorit nga vegjetacioni i dendur, për të lehtësuar dokumentimin dhe eksplorimin e strukturave historike.
Kërkimet zhvillohen në kuadër të projektit “Lugina e Drinit në Mesjetë”, i realizuar nga École française de Rome, Centre National de Recherche Scientifique, Ministère de l’Europe et des affaires étrangères, INRAP dhe Instituti i Arkeologjisë, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës dhe DRTK Shkodër. Projekti synon të ofrojë një pasqyrë të detajuar mbi zhvillimin urban dhe jetën e komuniteteve mesjetare në këtë rajon.