“Jemi që pa ardhur deti”, libri i Akri Çipës prezantohet në Lezhë

Nga Erisa Muçaj

LEZHË, 2 shtator 2026 / Albania Express News /-Libri “Jemi që pa ardhur deti” i autorit Akri Çipa u prezantua sot në Bibliotekën “At Gjergj Fishta” të Bashkisë Lezhë, në një veprimtari kulturore që solli në vëmendje një marrëdhënie të veçantë mes letërsisë, kujtesës familjare dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.

Botimi, i cili vjen në dy versione, shqip dhe anglisht, u prezantua në një aktivitet të organizuar nga Departamenti i Kulturës i Bashkisë Lezhë, nën kujdesin e kryetarit të bashkisë, Pjerin Ndreu. Veprimtaria mblodhi krijues lezhianë, botues, lexues, familjarë të autorit dhe përfaqësues të mediave vendore.

Takimi u moderua nga shkrimtari Liridon Muja, i cili drejtoi një bashkëbisedim mbi tekstin e librit, procesin krijues dhe veçantinë e marrëdhënies gjenealogjike mes autorit dhe gjyshit të tij, poetit të njohur Lefter Çipa.

Në diskutim u vu në pah mënyra e veçantë se si autori ndërton një dialog me figurën e gjyshit, duke e sjellë atë jo vetëm përmes kujtesës familjare, por edhe përmes një këndvështrimi letrar, kulturor dhe filozofik. Liridon Muja e cilësoi Lefter Çipën si “poetin e popullit”, duke nënvizuar peshën e tij në kulturën shqiptare.

Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, si mik i familjes së autorit, solli vlerësime për figurën e të ndjerit Lefter Çipa dhe kontributin e tij të rëndësishëm në polifoninë shqiptare dhe në trashëgiminë kulturore kombëtare.

Një nga elementet më të veçanta të librit është pikërisht marrëdhënia gjysh–nip, e cila përmes këtij botimi shndërrohet në një formë komunikimi kulturor ndërmjet brezave. Përmes kujtimeve, intervistave dhe reflektimeve, Akri Çipa ndërton një portret të veçantë të një prej figurave të njohura të kulturës shqiptare.

Gjatë veprimtarisë, botuesi Frano Kulli dhe gazetari në diasporë Zef Përgega vlerësuan rëndësinë e këtij botimi, duke theksuar rolin e kulturës autentike shqiptare në një qasje gjithnjë e më globale. Sipas tyre, botime të tilla krijojnë ura komunikimi mes kulturës shqiptare dhe audiencave ndërkombëtare.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe gazetari Aleksandër Çipa, prind i autorit, i cili falënderoi organizatorët dhe të pranishmit. Ai e cilësoi botimin edhe si një rast me interes antropologjik, për shkak të marrëdhënies së veçantë ndërmjet brezave të krijuesve dhe mënyrës se si trashëgimia intelektuale përcillet në letrat shqipe.

Një moment i veçantë i veprimtarisë ishte bashkëbisedimi mes moderatorit Liridon Muja dhe autorit Akri Çipa, ku u trajtuan libri, koha, kujtesa dhe marrëdhënia e autorit me gjyshin e tij, Lefter Çipën, si në periudhën e qenies së tij fizike, ashtu edhe në përjetimin e mungesës pas ndarjes nga jeta.

Në kuadër të këtij botimi është përfshirë edhe një ese e rishkruar, e cila i jep figurës së Lefter Çipës një dimension më afirmues dhe filozofik, duke e vendosur atë në një kontekst më të gjerë të botës kulturore shqiptare.

Duke marrë fjalën, autori Akri Çipa shprehu mirënjohjen për organizatorët dhe të pranishmit, ndërsa vlerësoi mbështetjen e Bashkisë së Himarës dhe Qendrës Muze “Lefter Çipa”, të cilat kanë mundësuar botimin e dytë dhe të plotë të librit në dy gjuhë.

Autori bëri gjithashtu të ditur se versioni në gjuhën angleze i librit pritet të prezantohet së afërmi në New York dhe në qytete të tjera të Shteteve të Bashkuara, me synimin për të krijuar një kontakt të drejtpërdrejtë me audiencën amerikane dhe për ta çuar këtë histori të trashëgimisë kulturore shqiptare përtej kufijve.

“Jemi që pa ardhur deti” shfaqet kështu jo vetëm si një vepër që sjell kujtesën dhe figurën e Lefter Çipës përmes këndvështrimit të nipit të tij, por edhe si një dëshmi e komunikimit kulturor ndërmjet brezave dhe një përpjekje për ta prezantuar këtë trashëgimi në një hapësirë më të gjerë ndërkombëtare.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME