TIRANË ,02 shtator 2026 / Albania Express News /-Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve italianë si një nga destinacionet më tërheqëse të Mesdheut për pushime gjatë muajit shtator.
Në një artikull të publikuar në median italiane “Io Donna”, gazetarja Simona Sirianni e rendit Shqipërinë mes destinacioneve mesdhetare që ofrojnë kombinimin e detit, natyrës, qetësisë dhe çmimeve më të përballueshme pas përfundimit të pikut të sezonit veror.
Sipas artikullit, shtatori konsiderohet një nga periudhat më të favorshme për të udhëtuar në Mesdhe. Pas muajve të ngarkuar të korrikut dhe gushtit, plazhet janë më pak të frekuentuara, ndërsa temperaturat dhe ujërat e detit mbeten të përshtatshme për pushime.
Në Shqipëri, vëmendja përqendrohet veçanërisht te bregdeti jonian, me destinacione si Saranda, Himara dhe Dhërmiu, të cilat ofrojnë ujëra të kristalta dhe peizazhe shkëmbore, duke u krahasuar me disa prej destinacioneve më të njohura turistike të Mesdheut.
“Io Donna” thekson gjithashtu avantazhin ekonomik të udhëtimit në shtator. Sipas artikullit, pas rritjes së çmimeve gjatë pikut të sezonit veror, kostot e akomodimit, gastronomisë dhe shërbimeve turistike bien ndjeshëm.
Një darkë me peshk të freskët pranë detit apo qëndrimi në një hotel me dizajn mund të kushtojë rreth gjysmën e shumës që do të paguhej gjatë muajit gusht, shkruan media italiane.
Por çmimet nuk janë i vetmi avantazh. Më pak turistë në bregdet nënkupton më shumë qetësi dhe mundësi për të shijuar plazhet, natyrën dhe peizazhet e jugut të Shqipërisë pa turmat karakteristike të muajve të pikut.
Artikulli e përshkruan shtatorin si një muaj ideal për udhëtime më ekonomike, duke vënë në dukje se deti në këtë periudhë mund të jetë po aq, apo edhe më tërheqës, se gjatë muajve të verës.
Pesë destinacionet mesdhetare më ekonomike për shtatorin
“Io Donna” ka renditur pesë alternativa mesdhetare që mund të vizitohen në shtator me kosto më të ulët:
- Shqipëria – në anën tjetër të Adriatikut
- Greqia dhe ishujt Jonianë – pushime pa shpenzime të mëdha
- Malta dhe Gozo – një udhëtim pranë Italisë
- Sardenja – bukuritë e saj më të fshehura
- Jugu i Italisë – një destinacion që befason
Renditja e medias italiane e vendos Shqipërinë në krye të listës, duke e promovuar bregdetin shqiptar si një alternativë konkurruese për turistët që kërkojnë një eksperiencë mesdhetare, por me një buxhet më të ulët.
Me përfundimin e sezonit të pikut, shtatori po shndërrohet kështu në një periudhë gjithnjë e më të preferuar për udhëtime, ndërsa Shqipëria vazhdon të konsolidohet në hartën turistike të Mesdheut.

