Ushtria e Shteteve të Bashkuara goditi të martën një varkë që transportonte drogë nga Venezuela, njoftoi Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në një kohë kur tensionet mes administratës së presidentit Donald Trump dhe qeverisë së Nicolas Maduros po rriten.
Presidenti Trump konfirmoi sulmin gjatë një konference për shtyp në Zyrën Ovale, duke deklaruar se ushtria kishte “qëlluar” ndaj varkës “pak çaste më parë”.
Pak minuta më vonë, Rubio shkroi në platformën X se ushtria kishte kryer një “sulm vdekjeprurës” në jug të Detit të Karaibeve, duke sqaruar se varka vinte nga Venezuela dhe “po operohej nga një organizatë e shpallur si narko-terroriste”.
Detajet mbi objektivin, përfshirë identitetin e operatorëve të anijes, mbeten ende të pakta. Sulmi vjen pas vendimit të SHBA-së muajin e kaluar për të forcuar praninë ushtarake pranë Venezuelës, me vendosjen e tre anijeve luftarake në ujërat përreth si pjesë e një misioni kundër karteleve të drogës.
Presidenti venezuelas Nicolas Maduro e ka cilësuar praninë e anijeve amerikane një “kërcënim ekstravagant, të pajustifikueshëm, imoral, absolutisht kriminal dhe të përgjakshëm”.