ELBASAN, 15 gusht 2026 / Albania Express News/ – Në ditën e Festës së Shën Mërisë, deputetja e Elbasanit, Evis Kushi, ka përcjellë një urim nga një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë fetare, historike dhe kulturore të qytetit, Kisha e Shën Mërisë në lagjen “Kala” të këtij qyteti.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kushi ka sjellë në vëmendje historinë e veçantë të kësaj kishe, e cila daton në gjysmën e dytë të shekullit XIII dhe konsiderohet një nga kishat më të vjetra ortodokse në Shqipëri.
Sipas historisë së përcjellë nga deputetja, Kisha e Shën Mërisë ka mundur t’u mbijetojë periudhave të vështira të historisë, përfshirë pushtimin osman dhe më vonë regjimin komunist.

Një nga episodet më të rralla lidhet me periudhën pas pushtimit osman, kur banorët e lagjes “Kala” iu drejtuan me një kërkesë me shkrim Portës së Lartë, duke kërkuar që kisha të mos shembej.
Kërkesa, siç rrëfen Kushi, u mor në konsideratë dhe kisha u lejua të vijonte të ekzistonte, me kushtin që kulla e këmbanës të mos ishte më e lartë se minaret e xhamive të qytetit.
Kështu, Kisha e Shën Mërisë vijoi të qëndrojë në këmbë dhe të përcjellë ndër breza historinë e një prej lagjeve më të vjetra të Elbasanit.

“Kisha e Shën Mërisë nuk u shemb, mbijetoi brez pas brezi, kapërceu sfida nga më të vështirat dhe sot është një nga krenaritë më të mëdha të qytetit”, shkruan deputetja Evis Kushi.
Përtej rëndësisë së saj fetare, Kisha e Shën Mërisë përfaqëson një pasuri të çmuar arkitekturore dhe etnokulturore. Ajo është një vend i rëndësishëm për besimtarët ortodoksë, por njëkohësisht edhe një pikë me interes për vizitorët që mbërrijnë në Elbasan.
Në ditën e Shën Mërisë, urimi i deputetes merr kështu edhe një dimension më të gjerë: atë të ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë historike të Elbasanit, ku monumente të tilla dëshmojnë bashkëjetesën, historinë dhe identitetin shumë-shekullor të qytetit.

“Kush vjen në Elbasan, nuk mund të largohet pa e përjetuar këtë ndjesi të veçantë e të paharrueshme”, shprehet Kushi, duke ftuar qytetarët dhe vizitorët të njohin nga afër një prej thesareve të lagjes “Kala” në Elbasan.

