CËRRIK ,15 gusht 2026/Albania Express News/-Fshati Kurtalli në Njësinë Administrative Shalës tashmë ka ndriçim rrugor, duke i shtuar sigurinë dhe përmirësuar kushtet për banorët e zonës.
Investimi i shumëpritur nga banorët është përfunduar nga Bashkia Cërrik, e cila vijon investimet në infrastrukturën e fshatrave, në kuadër të angazhimit për përmirësimin e shërbimeve dhe të cilësisë së jetesës në komunitet.
Kurtalli është një fshat me një histori gati 500-vjeçare dhe emri i tij figuron në dokumentet osmane të vitit 1530 si “Kurtali”, në atë kohë pjesë e Kazasë së Elbasanit. Sipas regjistrit të asaj periudhe, fshati kishte 47 shtëpi, prej të cilave 41 të krishtera dhe 6 myslimane.
Pas shumë dekadash histori, këtë herë ndërhyrja është përqendruar te ndriçimi rrugor, një investim që pritet të lehtësojë lëvizjen e banorëve veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes.
Bashkia Cërrik thekson se puna do të vijojë , me ndërhyrje të tjera në fshatra dhe zona të ndryshme të bashkisë.
“Çdo ditë, një punë më shumë për të bërë Cërrikun dhe fshatrat e tij më të mirë”, është mesazhi i përcjellë nga Bashkia, e cila e ka renditur këtë ndërhyrje si punën e 197-të nga 500 të planifikuara.

