KOSOVË ,14 gusht 2026/Albania Express News/-Federata e Futbollit e Kosovës uron një fillim të mbarë të edicionit të ri 2026/27, duke vënë theksin te profesionalizmi, infrastruktura, “fair-play” dhe përfshirja e të gjithë komunitetit të futbollit.
Mesazhi nënvizon edhe rëndësinë e tifozëve si “lojtari i 12-të”, ndërsa klubet ftohen që sezonin e ri ta zhvillojnë me garë të fortë, respekt për kundërshtarin dhe dinjitet sportiv.
Urime edicioni i ri i futbollit në Kosovë!
Sot hapet perdja e edicionit të ri të futbollit në Kosovë. Çdo fillim sezoni është një moment për të parë se ku kemi qenë, ku jemi dhe, mbi të gjitha, ku duam të shkojmë.
Futbolli i Kosovës po rritet. Klubet po bëhen gjithnjë e më të organizuara, po investohet në infrastrukturë, po krijohen kushte më të mira për futbollistët dhe po zgjerohet hapësira për zhvillimin e futbollit të vajzave dhe kategorive të reja. Bashkë me këtë rritje, edhe sfidat janë më të mëdha, pasi standardet janë shumë më të larta se ato të dikurshme.
Si Federatë, përgjegjësia jonë është të krijojmë kushtet dhe një mjedis ku gara zhvillohet drejt, profesionalisht dhe me “fair-play”. Por zhvillimi i futbollit është një përgjegjësi që kërkon angazhimin e të gjithë komunitetit të futbollit: klubeve, futbollistëve, trajnerëve, gjyqtarëve, mediave dhe tifozëve.
Secili, në rolin e vet, ka përgjegjësinë të kontribuojë në ngritjen e standardeve dhe kulturës së futbollit tonë.
Jo më kot thuhet se tifozët janë lojtari i 12-të. Mbështetja e tyre duhet të jetë gjithmonë në shërbim të ekipit të zemrës dhe futbollit. Si Federatë, përmes projektit të ndriçimit të stadiumeve, jemi përkujdesur të krijojmë kushte edhe më të favorshme për zhvillimin e ndeshjeve dhe për tifozët.
Prandaj, stadiumet tona duhet të jenë arena të spektaklit sportiv, ku fitohet e humbet me dinjitet, ku kundërshtari respektohet dhe ku pasioni shndërrohet në atmosferë.
Ambicia jonë e përbashkët duhet të jetë e qartë: ta bëjmë çdo edicion më të mirë se ai paraprak dhe ta çojmë futbollin e Kosovës, hap pas hapi, drejt standardeve më të larta evropiane.
Sot, përveçse nis një tjetër edicion garues, bashkë me të fillon edhe një mundësi e re për të dëshmuar se futbolli ynë po bëhet gjithnjë e më profesional, më konkurrues dhe më i respektuar.
Në këtë fillim të edicionit të ri, uroj të gjitha klubet për një sezon të suksesshëm, me garë të fortë, sa më shumë spektakël në stadiume, “fair-play” dhe, mbi të gjitha, sa më pak lëndime për futbollistët.
Urime edicioni 2026/27!
Qoftë një sezon i mbarë për futbollin e Kosovës!

