TIRANË ,11 gusht 2026/Albania Express News/-Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja ka ndarë shembullin e një fermeri në Labinot-Mal, i cili pas kthimit nga emigracioni ka zgjedhur të investojë në vendlindje, duke rikthyer një traditë të zonës përmes kultivimit të duhanit.
Në një postim në rrjetet sociale, Llatja sjell në vëmendje rastin e Veli Kolonjarit, i cili aktualisht kultivon 30 hektarë me duhan, duke e kthyer aktivitetin bujqësor në një burim të qëndrueshëm për familjen e tij.
Sipas Llatjes, vetëm gjatë këtij viti në Qerret dhe Lukaxhi janë hapur 30 nipte të reja për fermerë, ndërsa përmes zyrave të shërbimeve në njësitë administrative ofrohet asistencë për regjistrimin e fermerëve, aplikimet për rimbursimin e faturave dhe procedura të tjera administrative.
Kjo qasje, thekson kryebashkiaku i Elbasanit, synon t’u lehtësojë fermerëve marrjen e shërbimeve pranë zonave ku jetojnë dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre, pa qenë nevoja të udhëtojnë drejt qytetit.
Mbështetja për sektorin bujqësor, sipas Llatjës, shoqërohet edhe me investime në infrastrukturën bujqësore, përfshirë kanalet vaditëse dhe kulluese, si dhe përmirësimin e rrugëve lidhëse, me synim krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e aktivitetit bujqësor.
“Elbasani ka njerëz punëtorë, që me përkushtim dhe dashuri për tokën e tyre po krijojnë më shumë mundësi për familjet dhe po i japin jetë e zhvillim zonave tona rurale”, shprehet Llatja.
Kryebashkiaku vlerëson se investimet dhe nismat që mbështesin fermerët kontribuojnë në forcimin e ekonomisë rurale dhe në rikthimin e traditave bujqësore në zonat e Elbasanit.

