Natë tmerri në Krujë! Flakët përfshijnë Malin e Krujës, në terren 3 helikopterë, dronë dhe Bayraktar TB

KRUJË ,09 gusht 2026/Albania Express News/-Një natë e gjatë dhe e vështirë është përjetuar në Krujë, ku zjarri që përfshiu Malin e Krujës u përhap me shpejtësi, duke krijuar një situatë alarmante dhe duke rrezikuar të afrohej drejt zonave të banuara.

Flakët përfshinë sipërfaqe të konsiderueshme, ndërsa terreni i vështirë dhe kushtet e natës e bënë edhe më të komplikuar ndërhyrjen e forcave në terren. Për orë të tëra, efektivë të strukturave të emergjencave civile, Forcave të Armatosura dhe shërbimeve të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, së bashku me aktivistë dhe qytetarë, punuan për izolimin dhe neutralizimin e vatrave të zjarrit.

Në operacion u angazhuan edhe mjete ajrore, me tre helikopterë, ndërsa situata u monitorua nga ajri përmes dronëve. Në mbështetje të operacionit të monitorimit dhe vlerësimit të situatës u përdor edhe Bayraktar TB2, duke mundësuar një pamje më të plotë të përhapjes së vatrave dhe orientimin e ndërhyrjes në terren.

Pas orësh të tëra përpjekjesh intensive, disa prej vatrave më problematike u neutralizuan. Megjithatë, mëngjesin e kësaj të diele, në terren vijonin të raportoheshin disa vatra aktive, për të cilat ekipet e emergjencave po punojnë për izolimin dhe shuarjen e tyre të plotë.

Operacioni në Malin e Krujës vijoi pa ndërprerje gjatë gjithë natës, me forcat në terren të përqendruara veçanërisht në parandalimin e përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara.

Situata mbetet nën monitorim, ndërsa ndërhyrja nga toka dhe ajri synon të eliminojë edhe vatrat e fundit dhe të shmangë çdo rrezik të mëtejshëm për banesat, qytetarët dhe pronat.

Nata e kaluar në Krujë dëshmoi edhe një herë vështirësinë e përballimit të zjarreve në terrene malore, ku ndërhyrja e shpejtë e forcave dhe monitorimi nga ajri janë vendimtarë për frenimin e përhapjes së flakëve.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Protestuesit nuk bëjnë prapa, marshojnë në ditën e 72-të: Këtu derisa Rama të japë dorëheqjen

TIRANË ,10 gusht 2026/Albania Express News/-Qindra qytetarë u mblodhën...

11 ditë protestë në Divjakë, banorët këmbëngulin: “Divjaka të mbetet bashki!”

Nga Sara Tarko DIVJAKË ,10 gusht 2026/Albania Express News/-Prej 11...

Shëtitorja e re e Ksamilit, hapësirë e transformuar për banorët dhe turistët

TIRANË ,10 gusht 2026/Albania Express News/-Shëtitorja e re e...