TIRANË ,21 korrik 2026/Albania Express News/-Reformat e ndërmarra gjatë periudhës së fundit në sistemin shëndetësor shqiptar kanë sjellë përmirësime të dukshme në ofrimin e shërbimeve diagnostikuese dhe procedurave të specializuara. Treguesit e 6-mujorit të parë të vitit 2026, të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, konfirmojnë një ulje të ndjeshme të kohës së pritjes për ekzaminime të rëndësishme si CT, MRI dhe koronarografia.
Sipas të dhënave zyrtare, koha mesatare e pritjes për kryerjen e skanerit (CT) është reduktuar në 7.8 ditë, nga 24.3 ditë që ishte gjatë vitit 2025, duke shënuar një përmirësim të konsiderueshëm në aksesin e pacientëve ndaj këtij shërbimi.
Edhe në rastin e rezonancës magnetike (MRI) vihet re një ulje e kohës së pritjes. Nga 80.3 ditë në vitin 2025, pritja mesatare ka zbritur në 72.3 ditë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.
Përmirësimi më i madh është regjistruar në shërbimin e koronarografisë, një procedurë jetike për diagnostikimin e sëmundjeve të zemrës. Koha e pritjes është përgjysmuar, duke rënë nga 111 ditë në vitin 2025 në vetëm 46 ditë gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e lidh këtë rezultat me reformat e zbatuara për rritjen e kapaciteteve diagnostikuese, përmirësimin e organizimit të shërbimeve spitalore dhe rritjen e efikasitetit të sistemit shëndetësor.
Sipas institucionit, këto masa synojnë të garantojnë akses më të shpejtë dhe më cilësor të qytetarëve në shërbimet shëndetësore, duke reduktuar vonesat në diagnostikim dhe duke përmirësuar trajtimin e pacientëve në të gjithë vendin.

