BERLIN – Merz: Koha për të mbajtur premtimet, statusi i anëtarit të BE-së edhe pa të drejtë vote për vendet kandidate

BERLIN, 17 korrik 2026 /Albania Express News/- Republikës së Moldavisë, Ukrainës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet t’u jepet një perspektivë e qartë dhe e besueshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian, edhe nëse procesi do të vazhdojë në disa etapa, tha dje kancelari gjerman Friedrich Merz në një konferencë për shtyp mbi Mbrojtjen dhe Forcën Ekonomike të BE-së, sipas medias rumune “Cotidianul”.

Merz shpjegoi se propozimi i tij për “anëtarësim të asociuar” nuk u refuzua nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, dhe se dallimet mes tyre lidhen vetëm me terminologjinë e përdorur.

Zyrtari gjerman paralajmëroi se Bashkimi Evropian rrezikon të humbasë besueshmërinë e tij dhe madje edhe anëtarët e ardhshëm, nëse nuk vazhdon procesin e zgjerimit.

Merz tha se nisma për një formë të anëtarësimit të asociuar, nuk kishte në fokus vetëm Ukrainën, por edhe Republikën e Moldavisë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Propozimi im nuk i referohej vetëm Ukrainës, por edhe Republikës së Moldavisë. Më vonë, së bashku me presidentin francez, Emmanuel Macron, e zgjerova këtë ide edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Merz.

“Aktualisht kemi, pesë shtete në Ballkanin Perëndimor, Republikën e Moldavisë dhe Ukrainën, të cilat janë kandidate potenciale për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe që presin që Bashkimi Evropian të ndërmarrë hapat e ardhshëm. Sot, po hapet një kapitull i ri negociatash me Ukrainën. Presidentja e Komisionit Evropian do ta bëjë këtë njoftim sot”, tha kancelari gjerman.

Merz hodhi poshtë informacionet se presidenti Volodymyr Zelensky kishte refuzuar propozimin e tij, duke shpjeguar se rezervat e Kievit lidhen vetëm me emërtimin e konceptit “anëtarësim i asociuar”, i cili në Ukrainë ka marrë një kuptim negativ që prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociimit me Bashkimin Evropian.

“Megjithatë, dua të sqaroj një gjë të rëndësishme: propozimi im nuk u refuzua nga Volodymyr Zelensky. Ekziston një vështirësi që lidhet me këtë ide, por ajo ka të bëjë vetëm me politikën e brendshme të Ukrainës”, tha kancelari gjerman.

Termi “anëtarësim i asociuar” ka një kuptim të veçantë në Ukrainë. Ajo është përdorur që nga viti 2013, gjatë kohës së paraardhësit të Volodymyr Zelensky, kur Bashkimi Evropian i propozoi Ukrainës Marrëveshjen e Asociimit.

“Në hapësirën publike ukrainase, ajo marrëveshje u quajt “anëtarësim i asociuar”, dhe ky term sot nuk ka më një kuptim pozitiv. E kam diskutuar këtë çështje disa herë me presidentin Zelensky. Përsa i përket thelbit të çështjes, mes nesh nuk ka asnjë mosmarrëveshje”, shtoi Merz.

Sipas kancelarit gjerman, procesi i zgjerimit duhet të vazhdojë gradualisht dhe se Bashkimi Evropian duhet t’u ofrojë vendeve kandidate një perspektivë konkrete, edhe pse anëtarësimi i plotë do të kërkojë kohë.

“Të gjithë e kuptojmë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian duhet të ndërtohet hap pas hapi. Në të njëjtën kohë, shohim se procesi nuk mund të ecë aq shpejt sa ishte menduar, fillimisht. Qëllimi im është t’i ofroj Republikës së Moldavisë, Ukrainës dhe Ballkanit Perëndimor një perspektivë konkrete dhe të besueshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kanë kaluar tashmë 13 vjet që Bashkimi Evropian ka mirëpritur një shtet të ri anëtar, edhe pse u kemi premtuar disa vendeve evropiane se do të mund të anëtarësohen”, theksoi ai.

Sipas Merz, Bashkimi Evropian ka një zgjedhje mes heqjes dorë nga premtimet e bëra ndaj vendeve kandidate dhe gjetjes së një formule, përmes së cilës ato mund të integrohen gradualisht në strukturat evropiane.

“Ne tani kemi dy mundësi. E para do të ishte të tërhiqnim këtë premtim dhe të thonim se anëtarësimi nuk është më i mundur. Nga këndvështrimi im, kjo do të ishte zgjidhja më e keqe”, tha kancelari gjerman.

“Mundësia e dytë është të pranojmë se procesi është i vështirë dhe kërkon kohë, por të vazhdojmë hap pas hapi dhe të ndërmarrim hapin e radhës përmes një forme të anëtarësimit të asociuar”, shtoi ai.

“Kjo formulë mund të quhet edhe ndryshe. E rëndësishme është që këto shtete të përfitojnë një status, si anëtare të Bashkimit Evropian, edhe nëse në fazën e parë pa të drejtë vote në institucionet evropiane, por mjaftueshëm të integruara, që anëtarësimi i plotë të bëhet hapi i natyrshëm i radhës. Kjo është arsyeja pse e bëra këtë propozim”, deklaroi Merz.

Në përfundim, kancelari gjerman Merz paralajmëroi se çështja shkon përtej procesit teknik të zgjerimit dhe se lidhet me besueshmërinë strategjike të Bashkimit Evropian.

“Në Këshillin Evropian dhe në diskutimet me partnerët tanë, kemi parë mbështetje të konsiderueshme për këtë ide. Është e vërtetë që procesi është i ndërlikuar dhe ka ende shumë pengesa për t’u kapërcyer. Megjithatë, vullneti im i vendosur, është që në javët dhe muajt e ardhshëm, të bëjmë gjithçka është e mundur për të siguruar që, Bashkimi Evropian të mbetet i besueshëm në lidhje me premtimet që u ka bërë shteteve të tjera evropiane për perspektivën e anëtarësimit”, tha Merz.

“Nëse humbasim këtë besueshmëri, nuk do të humbasim vetëm besimin e këtyre vendeve. Do t’i humbasim vetë ato. Dhe nga pikëpamja gjeostrategjike, kjo do të ishte gjëja më e keqe që mund t’i ndodhte Evropës. Këto çështje, po diskutohen gjithashtu në Këshillin Evropian. Dhe e përsëris: Jam i kënaqur që propozimi im ka marrë mbështetje të konsiderueshme, edhe pse ende ka shumë etapa, që duhet të përfundojnë përpara se ai të bëhet realitet”, përfundoi kancelari gjerman.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Drejt përfundimit shëtitorja e re e Ksamilit, hapësirë e transformuar për banorët dhe turistët

KSAMIL , 17 korrik 2026 /Albania Express News/- Kryeministri...

Një foto, një epokë/ Ja sa vjeç ishin yjet e Spanjës kur debutoi Messi, dy prej tyre nuk kishin lindur ende…

BOTËRORI 2026 ,17 korrik 2026/Albania Express News/-Kur Lionel Messi...

Botërori 2026, Spanjë-Argjentinë është një finale për super të pasurit

BOTËRORI 2026 ,17 korrik 2026/Albania Express News/-Të dielën e...