Në bashkinë e Divjakës përmbyllet me sukses Shkolla Verore në Qendrën Komunitare, një javë plot mësim, kreativitet dhe buzëqeshje për fëmijët

Nga Sara Tarko

DIVJAKË ,17 korrik 2026/Albania Express News/-Atmosferë festive, emocione dhe shumë buzëqeshje shoqëruan përmbylljen e Shkollës Verore pranë Qendrës Komunitare, një program që gjatë gjithë javës mblodhi dhjetëra fëmijë në aktivitete edukative, krijuese dhe argëtuese, duke u ofruar atyre një përvojë të veçantë mësimore dhe sociale.

Përmes një sërë aktivitetesh të organizuara me kujdes, fëmijët patën mundësinë të mësonin më shumë rreth rëndësisë së vullnetarizmit, punës në grup, kujdesit për komunitetin, ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe mbrojtjes së mjedisit, duke zhvilluar njëkohësisht aftësi bashkëpunimi, komunikimi dhe krijimtarie.

Një nga momentet më të veçanta të kësaj jave ishte aktiviteti artistik, ku vetë fëmijët pikturuan muret e ambienteve të jashtme të Qendrës Komunitare. Me vizatime të përzgjedhura prej tyre, ata i dhanë jetë hapësirave të qendrës, duke i mbushur me ngjyra, imagjinatë dhe mesazhe pozitive. Kjo vepër kolektive do të mbetet si një kujtim i përhershëm i kësaj eksperience të bukur dhe si simbol i kontributit të tyre në zbukurimin e komunitetit.

Ceremonia përmbyllëse u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe festive, ku çdo pjesëmarrës u vlerësua për angazhimin dhe përkushtimin e treguar gjatë gjithë programit. Në aktivitet morën pjesë Nënkryetarja e Bashkisë Divjakë, znj. Silvana Keko, dhe Drejtori i Arsimit, z. Josif Kruti, të cilët shpërndanë certifikatat për fëmijët dhe i përgëzuan ata për pjesëmarrjen aktive, kreativitetin dhe frymën e bashkëpunimit që treguan gjatë gjithë javës.

Përfaqësuesit e institucioneve vlerësuan rëndësinë e organizimit të aktiviteteve të tilla, të cilat jo vetëm pasurojnë njohuritë e fëmijëve gjatë pushimeve verore, por edhe nxisin edukimin qytetar, zhvillimin e talenteve dhe krijimin e lidhjeve më të forta me komunitetin.

Organizatorët shprehën mirënjohjen për të gjithë fëmijët që u bënë pjesë e Shkollës Verore, duke sjellë energji, entuziazëm dhe kreativitet në çdo aktivitet. Një falënderim i veçantë iu drejtua gjithashtu partnerëve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë atyre që kontribuan në realizimin me sukses të këtij programi.Shkolla Verore pranë Qendrës Komunitare u mbyll kështu me një bilanc pozitiv, duke lënë pas kujtime të bukura, miqësi të reja dhe një mesazh të qartë se investimi tek fëmijët dhe edukimi i tyre është investimi më i vlefshëm për të ardhmen e komunitetit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Një foto, një epokë/ Ja sa vjeç ishin yjet e Spanjës kur debutoi Messi, dy prej tyre nuk kishin lindur ende…

BOTËRORI 2026 ,17 korrik 2026/Albania Express News/-Kur Lionel Messi...

Botërori 2026, Spanjë-Argjentinë është një finale për super të pasurit

BOTËRORI 2026 ,17 korrik 2026/Albania Express News/-Të dielën e...