Berisha: PS ndryshoi qëndrim për Reformën Territoriale

TIRANË, 16 korrik 2026 /Albania Express News/ -Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se Partia Socialiste ka ndryshuar qëndrim lidhur me Reformën Administrativo-Territoriale, duke akuzuar mazhorancën se kërkon ta vijojë procesin në mënyrë të njëanshme.

Në një konferencë për mediat, duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur me bojkotin e seancës plenare dhe zhvillimet në komisionet e posaçme parlamentare, Berisha tha se, sipas tij, procesi i reformës territoriale është ndërprerë dhe se nuk janë përfunduar konsultimet e parashikuara.

“Pala socialiste ka ndryshuar qëndrimin dhe kërkon ta miratojë pa Partinë Demokratike. Ne konstatojmë se po ndërpritet procesi. Nuk kanë përfunduar konsultat e parashikuara dhe të miratuara sipas rregullave”, u shpreh Berisha.

Ai vlerësoi punën e bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Luçiano Boçi, dhe tha se PD ka kërkuar që procesi të asistohen nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale i Këshillit të Evropës.

Berisha falënderoi gjithashtu qeverinë zvicerane, Ambasadën e Zvicrës në Tiranë dhe përfaqësinë e Bashkimit Evropian për interesin dhe mbështetjen e tyre ndaj reformës.

Sipas kreut të PD-së, mazhoranca po tenton që procesi të vijojë pa një asistencë ndërkombëtare, ndërsa theksoi se opozita ka platformën e saj për reformën territoriale.

“Ne sigurisht që kemi platformën tonë, por ne e besuam dhe e vlerësuam që të kemi një ndërmjetës, një këshilltar të mençur që ka të gjithë ekspertizën evropiane të reformave territoriale për të bërë më të mirën”, tha Berisha.

Lidhur me Reformën Zgjedhore dhe kërkesat e protestuesve për ndryshime në sistemin zgjedhor, përfshirë listat e hapura, Berisha deklaroi se Partia Demokratike i mbështet këto kërkesa.

“Siç e dini, Edi Rama është i vendosur të mos pranojë asnjë kërkesë të protestës rinore qytetare. Ndërkohë, ne kemi mbështetur të gjitha kërkesat e tyre. Pra, këtu ka një dallim të madh midis nesh dhe atyre”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se PD do të vijojë të kundërshtojë variantin e reformës territoriale të paraqitur nga mazhoranca, duke theksuar se opozita do të bëjë përpjekjet e saj për këtë çështje.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME