UGSH dënon sulmet ndaj gazetarëve gjatë protestës në Tiranë: “Dhuna ndaj reporterëve është krim, autorët të dalin para drejtësisë”

TIRANË, 2 Korrik 2026 /Albania Express News/-Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) ka reaguar me një deklaratë të fortë pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar sot në Tiranë, ku gazetarë, operatorë dhe punonjës të mediave u përballën me akte dhune verbale e fizike gjatë ushtrimit të detyrës.

Në deklaratën zyrtare, UGSH dënon ashpër çdo formë agresioni ndaj përfaqësuesve të medias, duke e cilësuar dhunën ndaj reporterëve dhe operatorëve, si edhe sulmet ndaj pajisjeve dhe automjeteve të mediave, si akte kriminale që nuk mund të tolerohen në një shoqëri demokratike.

Sipas Unionit, ndërhyrjet mbi mikrofonët me logot e mediave, sulmet ndaj kamerave dhe pengimi i gazetarëve në krye të detyrës përbëjnë veprime të papranueshme dhe të dënueshme ligjërisht. Organizata u ka bërë thirrje të gjithë gazetarëve dhe mediave që të publikojnë me zë dhe figurë çdo rast dhune dhe të identifikojnë autorët e agresioneve.

UGSH kërkon nga Policia e Shtetit që të ndërhyjë menjëherë për të ndaluar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore çdo person që ka ushtruar dhunë, kërcënim apo intimidim ndaj gazetarëve, pavarësisht mediumit ku ata punojnë. Sipas deklaratës, institucionet ligjzbatuese kanë detyrimin të garantojnë sigurinë dhe ushtrimin e lirë të profesionit për të gjithë punonjësit e medias.

Një pjesë e rëndësishme e reagimit i drejtohet edhe organizatorëve të protestës, të cilëve u kërkohet të mbajnë përgjegjësi për sjelljet e dhunshme dhe aktet rrugaçërore të protestuesve ndaj reporterëve, fotoreporterëve dhe operatorëve që po pasqyronin ngjarjen në terren.

UGSH thekson se gjatë gjithë protestave të zhvilluara në kryeqytet, gazetarët dhe operatorët kanë qenë të identifikuar qartë me dokumentacionin dhe simbolet profesionale, çka sipas organizatës duhet të mjaftojë për të garantuar paprekshmërinë dhe respektimin e tyre nga çdo qytetar dhe institucion.

Në deklaratë ngrihet shqetësimi edhe për disa raste, ku sipas Unionit, punonjës policie kanë akuzuar reporterë dhe fotoreporterë se “punojnë për të huajt”, pavarësisht faktit se ata ishin të identifikuar si profesionistë të medias. Për këtë arsye, UGSH i kërkon Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Ministrit të Brendshëm të hetojnë me urgjencë këto raste dhe të marrin masat e nevojshme ligjore.

Organizata nënvizon se kishte paralajmëruar më herët për rritjen e gjuhës së urrejtjes dhe agresionit verbal ndaj gazetarëve në rrjetet sociale dhe media të ndryshme, ndërsa ngjarjet e sotme, sipas saj, përfaqësojnë një përshkallëzim të rrezikshëm të këtij fenomeni.

Në përfundim të deklaratës, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e cilëson ditën e sotme si një nga më problematiket për lirinë e medias, duke theksuar se numri i lartë i sulmeve fizike dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve shënon një rekord alarmant dhe përbën një goditje serioze ndaj lirisë së raportimit, integritetit fizik të gazetarëve dhe funksionimit normal të medias në hapësirën publike.

UGSH u bën thirrje institucioneve shtetërore, aktorëve politikë, organizatorëve të protestave dhe qytetarëve që të respektojnë rolin e medias dhe të garantojnë që gazetarët të ushtrojnë profesionin e tyre të lirë, të sigurt dhe pa asnjë formë presioni apo dhune.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Edi Rama: Protesta e bukur e qytetarisë ia ka lënë vendin filmit të vjetër të konfliktit dhe dhunës

TIRANË, 2 korrik 2026/Albania Express News/- Kryeministri Edi Rama...

KLP hap garën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, 30 ditë afat për shpalljet e kandidaturave

TIRANË ,2 korrik 2026/Albania Express News/-Këshilli i Lartë i...

Tmerr në Kupën e Botës/ Pesë futbollistë luajtën me “pistoletë në kokë”: Nëse fitoni, ju vrasim familjen

BOTËRORI 2026 , 2 korrik 2026/Albania Express News/-Një lajm...