E njohur për natyrën e saj të bukur dhe ajrin e pastër malor, Peshkopia po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje si një destinacion turistik i pazbuluar ende plotësisht, por që çdo ditë e më shumë tërheq vizitorë vendas dhe të huaj.
E quajtur shpesh “Perla mes maleve”, ky qytet në veri të Shqipërisë ofron një kombinim të rrallë të natyrës së paprekur, ujërave termale kurative, mikpritjes tradicionale dhe qetësisë që e dallon nga zonat e mbipopulluara turistike.
“Sa më shumë e shikon, aq më shumë preferohet, vizitohet dhe të merr malli!”, kështu e përshkruajnë qytetin shumë nga ata që e kanë vizituar më parë, dhe që shpesh rikthehen për ta përjetuar sërish.
Përveç klimës së freskët gjatë verës dhe dimrave të bardhë e të pasur me bukuri natyrore, Peshkopia është e njohur edhe për ujërat termale në zonën e llixhave, që prej dekadash janë frekuentuar për vlerat e tyre shëndetësore.
Zona përreth ofron gjithashtu shtigje të përshtatshme për ecje malore, biciklizëm dhe eksplorim natyror, ndërsa afërsia me parkun kombëtar të Lurës dhe destinacione të tjera alpine e bën qytetin një pikënisje ideale për aventurierët.
Autoritetet vendore kanë nisur ndër vite investime në përmirësimin e infrastrukturës dhe promovimin e turizmit, duke e pozicionuar Peshkopinë gjithnjë e më shumë në hartën e destinacioneve turistike të Shqipërisë.
Me potencialin e saj të pasur natyror dhe kulturor, Peshkopia jo vetëm që vizitohet, por lë pas edhe mall për t’u rikthyer. Një qytet që nuk të flet me zhurmë, por me qetësinë e bukurisë së tij.
albaniaexpress.al