Zvërneci, Kakomeja dhe nevoja për transparencë

Nga Ermelinda Meksi

VLORË,2 qershor 2026/Albania Express News/Debati që ka shpërthyer rreth projektit në Zvërnec, më shumë sesa për vetë investimin, është shndërruar në një diskutim të gjerë mbi besimin e qytetarëve te shteti, mbrojtjen e pasurive kombëtare, transparencën e vendimmarrjes dhe modelin e zhvillimit që Shqipëria dëshiron të ndjekë.

Për këtë arsye, reagimi i Kryeministrit, qeverisë dhe Kuvendit nuk mund të kufizohet në deklarata politike “pro zhvillimit” apo “kundër zhvillimit”. Qytetarët kanë nevojë për përgjigje konkrete, të verifikueshme dhe të besueshme.

Ndjeshmëria që kjo çështje ka ngjallur më kujton rastin e investimit të propozuar nga Club Med në Kakome, rreth 20 vite më parë. Edhe atëherë u premtuan zhvillim, investime strategjike dhe rritje ekonomike. Edhe atëherë pati debate mbi pronësinë, ndikimin mjedisor dhe përfitimin publik. Sot, pas më shumë se dy dekadash, Kakomeja mbetet një kujtesë e qartë se çështjet e pronësisë, sigurisë juridike dhe konsensusit social duhet të zgjidhen përpara se projektet të hyjnë në fazën e zbatimit.

Prandaj lind pyetja: çfarë garancish ekzistojnë që Zvërneci të mos përfundojë në të njëjtin cikël konfliktesh, procesesh gjyqësore dhe polarizimi social?

Një tjetër çështje që kërkon sqarim lidhet me ndryshimet e bëra në ligjin për Zonat e Mbrojtura. Pse u konsiderua e nevojshme kjo ndërhyrje ligjore? Cilat janë garancitë që këto ndryshime nuk cenojnë standardet evropiane të mbrojtjes së natyrës? A duhet të rishikohen ato në dritën e shqetësimeve të ngritura nga ekspertët, organizatat mjedisore dhe qytetarët?

Po aq e rëndësishme është transparenca e pronësisë. Në shumë vende evropiane po rritet kërkesa për identifikimin e qartë të përfituesve fundorë të kompanive që zotërojnë apo zhvillojnë projekte strategjike. Kur një investim prek zona me rëndësi kombëtare, qytetarët kanë të drejtë të dinë se kush janë përfituesit realë të projektit, cilët janë aksionarët fundorë dhe kush do të përfitojë ekonomikisht nga zhvillimi i tij, pavarësisht strukturave formale të pronësisë.

Transparenca nuk është pengesë për investimet; përkundrazi, ajo është kushti themelor që investimi të fitojë besimin publik.

Po ashtu, duhet të bëhen publike dhe lehtësisht të aksesueshme studimet e ndikimit në mjedis, planet e menaxhimit të zonës, masat për mbrojtjen e biodiversitetit dhe mekanizmat e monitorimit afatgjatë. Qytetarët nuk kërkojnë vetëm premtime se natyra do të mbrohet; ata kërkojnë standarde, garanci dhe mekanizma kontrolli.

Kryeministri dhe qeveria duhet të sqarojnë gjithashtu përfitimet konkrete të investimit dhe jo thjesht ndikimin e tij në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sa vende pune do të krijohen? Sa prej tyre do t’u takojnë banorëve vendas? Si do të shpërndahen të ardhurat që rrjedhin nga investimi dhe sa do të përfitojnë shteti shqiptar dhe qytetari i zakonshëm?

Në një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e mjedisit duhet të ecin krah për krah. Një Shqipëri moderne nuk ndërtohet duke bllokuar investimet, por as duke injoruar shqetësimet legjitime të qytetarëve.

Mbi të gjitha, Kryeministri dhe qeveria duhet të kuptojnë se reagimi qytetar në Zvërnec dhe në Tiranë është më shumë sesa një reagim ndaj një projekti të caktuar. Ai është një sinjal më i gjerë për nevojën e transparencës, dialogut dhe besimit.

Sepse kur qytetarët ndihen të përjashtuar nga vendimmarrja mbi pasuritë natyrore dhe interesat publike që preken nga projekte të tilla, lind pakënaqësia. Kur mungojnë përgjigjet, lind mosbesimi. Dhe kur mosbesimi thellohet, dëmtohen kohezioni shoqëror dhe vetë procesi i integrimit evropian.

Prandaj ky rast kërkon një përgjigje të shpejtë, transparente dhe të besueshme nga qeveria. Jo për të fituar një debat politik, por për të forcuar bindjen e qytetarëve se janë zot në vendin e tyre, se pasuritë natyrore menaxhohen në interes publik dhe se zhvillimi i Shqipërisë matet jo vetëm me fitimet e investitorëve, por edhe me cilësinë e jetës së qytetarëve të saj.

Kjo lëvizje qytetare nuk duhet parë si kërcënim, por si një zile zgjimi që kërkon më shumë transparencë, më shumë dialog dhe më shumë besim mes shtetit dhe qytetarëve.

Sa më shumë paqartësi dhe deklarata kontradiktore të ketë rreth projektit, aq më e madhe bëhet nevoja për transparencë të plotë dokumentare dhe komunikim publik të qartë.

Nëse ky projekt është vërtet në interes të vendit tonë, atëherë transparenca e plotë duhet të jetë aleati i tij më i madh.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME