Egnatia ngre sërish trofeun! Rrogozhinasit shpallen Kampionë të Shqipërisë për të tretin vit radhazi, Presidenti FSHF Armando Duka u dorëzon trofeun në “Elbasan Arena”

STADIUMI “ELBASAN ARENA”,31 maj 2026/Albania Express News/Egnatia ka shkruar një tjetër kapitull të artë në historinë e saj, duke u shpallur kampione e Shqipërisë për sezonin 2025/2026. Skuadra rrogozhinase konfirmoi dominimin e viteve të fundit në futbollin shqiptar, teksa siguroi titullin e tretë radhazi në “Abissnet Superiore”, pas fitores 2-0 ndaj Dinamo City në finalen vendimtare të fazës “Final Four”, të zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”.

Në një atmosferë elektrizuese dhe me emocionet e një gare që mbeti e hapur deri në sekondat e fundit të sezonit, Egnatia tregoi edhe një herë forcën, pjekurinë dhe cilësinë që e kanë shndërruar në skuadrën më të suksesshme të viteve të fundit.

Heroi i mbrëmjes ishte Alessandro Albanese. Sulmuesi i Egnatias mori përsipër rolin e liderit dhe rezultoi vendimtar me dy golat e tij. Fillimisht ai kaloi skuadrën në avantazh në minutën e 29-të nga pika e bardhë e penalltisë, duke i dhënë qetësi ekipit të tij. Vetëm dhjetë minuta më vonë, Albanese goditi sërish, duke realizuar golin e dytë dhe duke vulosur praktikisht fatin e ndeshjes dhe të titullit kampion.

Ndërkohë, në të njëjtën orë, vëmendja ishte e përqendruar edhe në stadiumin “Air Albania”, ku AF Elbasani përballej me Vllazninë. Verdheblutë arritën një fitore të rëndësishme me rezultatin 2-1, duke përmbysur shkodranët pas një ndeshjeje plot ritëm dhe emocione.

Ishte Bekim Balaj ai që kaloi Vllazninë në avantazh në minutën e 49-të, por reagimi i Elbasanit ishte i menjëhershëm. Xhonatan Lajthia riktheu ekuilibrat, ndërsa Abbas Ibrahim realizoi golin e fitores, duke ndezur shpresat për titull tek tifozët elbasanas.

Megjithatë, pavarësisht triumfit ndaj Vllaznisë, AF Elbasani nuk arriti të kurorëzohej kampion. Të dy skuadrat, Egnatia dhe Elbasani, e mbyllën sezonin me nga 37 pikë, por rrogozhinasit përfituan nga golavarazhi më i mirë në përballjet direkte, kriter që rezultoi vendimtar për shpalljen e kampionit.

Në renditjen përfundimtare të “Final Four”, Egnatia u pozicionua në vendin e parë me 37 pikë, po aq sa AF Elbasani në vendin e dytë. Vllaznia e mbylli garën në vendin e tretë me 31 pikë, ndërsa Dinamo City në vendin e katërt me 27 pikë.

Ky sukses i siguron Egnatias një vend në turin e parë kualifikues të UEFA Champions League, ku skuadra do të kërkojë të vazhdojë historinë e saj europiane. Nga ana tjetër, AF Elbasani, Dinamo City dhe Vllaznia do të përfaqësojnë futbollin shqiptar në raundin e parë kualifikues të UEFA Conference League.

Pas përfundimit të sfidës në “Elbasan Arena”, festa kaloi në fushë dhe në tribuna. U zhvillua ceremonia zyrtare e ndarjes së medaljeve dhe trofeut të kampionit, ku protagonistë ishin futbollistët, stafi teknik dhe drejtuesit e klubit rrogozhinas.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku, dorëzuan medaljet dhe trofeun e shumëpritur. Mes duartrokitjeve dhe festës së lojtarëve, kapiteni i Egnatias ngriti lart trofeun e kampionit, duke vulosur një sezon tjetër historik për klubin.

Me këtë triumf, Egnatia jo vetëm që mbron fronin e futbollit shqiptar, por konfirmon edhe statusin e saj si forca dominuese e kampionatit në vitet e fundit, duke vendosur një standard të ri suksesi dhe vazhdimësie në elitën e futbollit shqiptar. 

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Pas incidentit të dhunshëm në Zvërnec, hiqet teli me gjemba nga rrethimi i kantierit

ZVËRNEC-VLORË,31 maj 2026/Albania Express News/Teli me gjemba i cili...

Të shtëna me armë në zonën e Ali Demit në Tiranë, një i arrestuar

TIRANË,31 maj 2026/Albania Express News/Të shtëna me armë janë...

Çmenduri në Londër, 1.5 milionë tifozë në paradën historike të Arsenalit

LONDËR,31 maj 2026/Albania Express News/Festimet e suksesit të madh...